Connect with us

Aktuale

Salla koncertale në Prishtinë

Published

on

Sa shumë herë e kamë potencuar rëndësinë e identitetit urban të një vendbanimi apo të një qyteti, shumë pak i trajtuar në tërë Kosovën. Ai ma së miri identifikohet me objektet, të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan, për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet. Ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur përpara,e të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe në njëzetë vjetshin e parë të shekullit 21,si në rastin e propozimit për lokacionin e sallës koncertale në Prishtinë. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira, gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën tonë.

Shkruan: arch. Ylber Vokshi

Ide të tilla për ndryshimin e lokacionit të objektit të Teatrit të operës dhe baletit të Kosovës kishte edhe ma parë, nga garniturat e kaluar në Ministrinë së Kulturës. Të pa aftë me vazhduar projektin e filluar së ndërtuari që në vitin 2009,lansuan idenë absurde se lokacioni i objektit duhet me qenë në qendrën e ngushtë të kryeqytetit, aty ku ekziston objekti i shtëpisë së mallrave ish-Gërmija, të cilin “ekspertët” tanë e adaptuan në hapësira administrative – zyre.

Në mungesë të argumenteve kjo ide iu dështoi, për ta ringjallur prapë në kohën e fundit në muajin korrik 2018, kur në një punëtori u vendos që të ndërtohet një “salla koncertale” polivalente që do të plotësonte kërkesat për artin skenik, muzikor, baletin dhe operën në Kosovë. U vendos që lokacioni i kompleksit të jetë në qendrën e ngushtë të kryeqytetit, në hapësirën para Teatrit Kombëtar, aty ku sot ekziston objekti i shtëpisë së mallrave.

Një fakt duhet ta kenë të qartë të gjithë se aktivitetet operistike dhe kapacitetet përcjellëse për funksionimin e saj, as përafërsisht nuk munden të plotësohen në një sallë polivalente koncertale si po mendojnë disa “ ekspert “ të gjithëdijshëm. Mendime të ngjashme kemi edhe në radhët e politikës, muzikantëve dhe arkitektëve, që në realitet tregojnë mos dije elementare, është gabim trashanik i pa falshëm nëse ndërmerret dhe realizohet kjo ndërmarrje tërësisht e gabueshme.

Haptas kisha kundërshtuar këtë çmenduri institucionale të asaj kohe (mars 2015),me shkrime autoriale si dhe me prononcime publike në media të shkruara, ato televizive dhe elektronike. Disi kjo çështje u harrua përkohësisht, për tu aktualizuar ma seriozisht pasi Komisioni Evropian përmes fondeve IPA ka premtuar afro 16 milion euro për financimin e projektit. Atë duhet trajtuar seriozisht, pa nguti pasi ai është i një rëndësie të veçantë për funksionimin e mirëfilltë të kulturës tanë. Për të fituar një objekt  reprezentativ pjesëmarrja financiare e shtetit tonë është e domosdoshme, e jo të ndahen vetëm 250 mijë euro nga komuna e Prishtinës, ku është MKRS ?

Në krahasim me herën e kaluar, është inkurajues fakti se këto ditë ka shumë ma shumë reagime konstruktive nga profesionistët, shoqëria civile dhe qytetarët e thjeshtë, që kërkojnë me të drejtë të mos rrënohet objekti i shtëpisë së mallrave. Është duke u nënshkrua edhe një peticion, që në rrethanat tona fare nuk merret në konsideratë edhe se është mjet i avancuar demokratik i shprehjes së pakënaqësisë qytetare.

Caktimi i lokacionit nuk bëhet sipas tekeve të individëve apo grupeve të interesit, si ka ndodhur tek ne në shumë raste. Duhet ma në fund vendimmarrësit tanë me e pasur të qartë se ato përmbajtjet urbane definohen në Dokumentet Hapësinore të mirëfillta, të cilat kanë munguar deri me tani në Prishtinë.

Është jashtë çdo aftësie profesionale të caktohen lokacionet e objekteve të rëndësishme, pa iu referuar dokumenteve ekzistuese hapësinore dhe urbane të  Komunës, të cilat edhe duhet rifreskuar kohë pas kohe, pasi sot aplikohet planifikimi  hapësinor dhe urban strategjik, ku fleksibilitet dhe rehabilitimet urbane për zonat e caktuara të qytetit janë të domosdoshme.

Nga ajo punëtori janë ofruar dy opsione për realizimin e sallës koncertale në qendër të Prishtinës. Njëri opsion është të shikohet mundësia e inkorporimit të sallës në  strukturën ekzistuese të shtëpisë së mallrave, kjo është e po mundur nga aspekt i konstruktiv dhe funksional. Kjo nënkupton se shtëpinë e mallrave duhet domosdo rrënuar, me pasoja të pa riparueshme që ndikojnë direkt në identitetin urban të Prishtinës.    A thua ka ndonjë arkitekt apo planer urban në rruzullin tokësor që mendon kështu ?

 

Opsioni tjetër është gjithashtu i rrezikshëm, sipërfaqja e lokacionit të fituar pas  rrënimit të objektit të ish Gërmisë, dyshoi se do të mjaftonte për të projektuar një sallë polivalente koncertale, me të gjitha përmbajtjet përcjellëse të brendshme dhe të jashtme. Përpiluesit e detyrës projektuese kurrsesi nuk duhet me u kufizuar në vlerën financiare të donacionit, përmbajtjet duhet parapa për disa dekada, në një kryeqytet që po rritet me shpejtësi marramendëse, si rezultat i politikave të gabuara urbane.

Edhe raporti me përmbajtjet tjera ekzistuese nuk shkon në favor të lokacionit i cili për këto lloje objektesh kërkon të jetë i hapur dhe transparent dhe të frymon nga të gjitha anët. Preferohet të vendoset në një zonë të qetë, që të plotëson kërkesat kryesore të komunitetit artistik dhe vizitorëve, në një zonë atraktive, e që nuk është larg qendrës së kryeqytetit, ky do të ishte avantazh i madh për kulturën tanë, e jo ti imponohet apo ta ngulfat mjedisin i cili do ta rrethonte.

Tjetër është nëse do ti lejojmë vetes asi komoditeti e të përsërisim gabimet e bërë me caktimin e lokacionit të Xhamisë qendrore e cila është ngulfatur në një hapësirë të vogël dhe të kufizuar, ku projekti nuk korrespondon fare me lokacionin.

Se lokacioni i sallës koncertale domosdo nuk duhet të jetë në qendrën e kryeqytetit e tregojnë rastet e shumta në tërë rruzullin tokësorë. Duhet analizuar se si kanë vepruar qytetet e mëdha në botë me caktimin e lokacioneve të reja të këtyre objekteve, specifike dhe me ekskluzivitet të lartë shoqëror si janë rastet në Torino, Helsinki, Sofje apo afër neve në Shkup.

Duhet pasur durim që vendimmarrësit tanë, me forcën e argumenteve profesionale dhe financiare, me i bindur përse ndonjë objekt arkitektonik apo ndonjë kompleks urbanistik duhet vendosur në lokacion adekuat, duke i argumentuar përparësitë, dobësitë, mundësitë dhe rreziqet që i kërkon një veprim i tillë. Për këtë specialistët tanë që thirren shpesh në konsultime dhe iu kërkohen këshilla dhe mendime  profesional, së pari duhet pasur dituri të larta personale të fushës që i takojnë, paanshmëri politike dhe regjionale, dhe jo të korruptueshëm. Duhen pasur durim ekstrem në  shpjegime dhe bindjen e atyre që vendosin, pasi kemi të bëjmë me struktura të cilat nuk kanë njohuri për temat specifike si është objekti i sallës koncertale.

E nëse as kjo forme profesionale e punës, për shkaqe të ndryshme, nuk jep efekte pozitive, atëherë ata individë duhet demaskuar së pari publikisht e pastaj ligjërisht. Ka kaluar koha e feudëve apo monarkëve kur për çështje të rëndësishme urbanistike për të gjithë në, të vendosë një grup i vogël njerëzish pa pajtueshmëri gjithëpërfshirëse.

Luten të gjithë vendimmarrësit tanë aktual të mos përsëritin gabimet e shumta të së kaluarës dhe me qetësi të marrin vendim adekuate, të ndihmuar nga profesionistët e vërtetë, në caktimin e lokacionit për tempullin e ardhshëm të kulturës në Kosovë,pasi propozimi aktual është i gabuar dhe i dëmshëm. Donacionin e ofruar nga BE duhet pasuruar financiarisht nga ne, gjithsesi duhet shfrytëzuar për të ndërtuar një sallë koncertale dinjitoze për të gjithë ne.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending