Aktuale
Sali Shoshi për “Gërminë”: Gjithmonë duhet të reagojnë të tjerët që ne ta kuptojmë seriozitetin e çështjes

Përveç reagimit të Këshillit Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete (ICOMOS), i cili u ka kërkuar institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë që ish-ndërtesa e “Gërmisë” të ruhet, për këtë ka reaguar edhe drejtori ekzakutiv i “Cultural Heritage without Borders”, Sali Shoshi. Në rrjetin social facebook ai ka shkruar se me këtë reagim të ICOMOS, tani çështja bëhet më serioze.
Postimi i plotë:
“Tash çështja bëhet me serioze. Kemi një reagim të fortë nga ICOMOS në lidhje me mbrojtjen e ish-shtëpisë se mallrave Gërmia. Tashmë është bërë traditë që të tjerët duhet të reagojnë dhe pastaj ne ta kuptojme seriozitetin e çështjes. Besoj që tash Komuna, Qeveria dhe BE e kanë kuptuar mesazhin dhe do ta gjejne lokacionin e ri për Sallën Koncertale”.
Megjithëse, objekti ka marrë statusin e monumentit qysh nga tetori i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës është duke kërkuar që të bëhet ndonjë zgjidhje që aty të zërë vend salla koncertale, e cila do të financohej në kuadër të fondeve të IPA-s të Bashkimit Evropian me mbi 15 milionë euro.
Shkresa e ICOMOS-it, të hënën, ka arritur në adresë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe dy zyrtarëve të tjerë në stafin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
