Aktuale
“Sagrada Familia” merr lejen e ndërtimit pas 136 nga fillimi i punimeve

Monumenti më ikonik në Barcelonë “Sagrada Familia”, arriti të marrë lejen e ndërtimit, pas një shekulli që kur kishin filluar punimet për herë të parë dhe pas rreth 92 vitesh që kur arkitetkti i planit të këtij objekti, kishte ndërruar jetë.
Marrëveshja është arritur në mes të besimtarëve të kishës dhe këshillit të qytetit, duke siguruar që ndërtimi i filluar në vitin 1882 të ketë tashmë licencën e ndërtimit, shkruan The Guardian, transmeton Ndërtimi.info.
Marrëveshja e re përfshinë një plan të detajuar të përmirësimit të transportit publik dhe zonës urbanistike përreth. “Sagrada Familia” do të paguajë rreth 22 milion euro për të ndihmuar rritjen e sigurisë së transportit të qytetit. Nga kjo shumë 7 milion euro veçohen në përmirësimin e qasjes në sistemin e metrosë në Barcelonë, 4 milion do të investohen në renovimin e 4 rrugëve kryesore dhe 3 milion për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve.
“Pas dy viteve të dialogut kemi arritur një marrëveshje që na e siguron licencën, qasjen më të sigurtë në këtë monument dhe lehtësimin e jetës lokale, me anë të përmirësimit të transportit publik dhe zhvillimit të rrugëve përreth”, është shprehur kryebashkiaku i Barcelonës, Ada Colau, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Plani i ri do të formalizojë punimet e ndërtimit dhe do të hap rrugën për një ide që “ studion zgjedhjet e mundshme se si projekti i Antoni Gaudit” do të mund të përfundonte.
Kryevepra e Antoni Gudit e cila mbeti e papërfunduar, është destinacioni më i frekuentuar turistik i Barcelonës, që brenda çdo viti tërheqë rreth 20 milion vizitorë. Por, ky vend i famshëm deri të enjten e kaluar, kryente punimet në mënyrë “ilegale”.
Puna në “Sagrada Familia” kishte filluar në mars të vitit 1882, bazuar në një dizajn neo-gotik, nga arkitekti Fraciso de Paula del Villar y Lonzano. Kohë më pas arkitekti i famshëm Gaudi kishte prezantuar dizajnin e tij të njohur.
Kisha shpejt u bë pjesa kryesore dhe më e rëndësishme e arkitektit katalanas Gaudi, i cili mbikëqyri punimet nga viti 1883 e deri nga mesi i qershorit të vitit 1926, kur u godit nga një tramvaj. Tri ditë më vonë ai u varros në një pjesëz të kishës “Sagrada Familia”.
Bashkëpunëtori i Gaudit, arkitekti Domenec Sugranes morri përsipër këtë projekt duke iu përmbajtur konceptit origjinal të Gaudit.
Gjatë luftës civile spanjolle projekti origjinal u dogj së bashku me vizatimet, fotografitë dhe modelet, por megjithatë punimet vazhduan.
Projekti pritet të përfundojë brenda 8 viteve, pas rreth njëqind vitesh nga vdekja e Gaudit dhe 143 vite pas fillimit të punës së saj për herë të parë./Ndërtimi.info/
