Aktuale
Sa shtëpi për skamnorë bëhen me 53 milionët e humbur nga Qeveria

Shtëpi të shkatërruara e të mbuluara nga myku dhe lagështia, janë mjerimi në të cilën jetojnë shumë familje kosovare.
Me shumë vuajtje kryefamiljarët po shpresojnë në mëshirën e njerëzve. Ëndrra e këtyre familjeve që vështirë e sigurojnë bukën e gojës, po mbetët të kenë një kulm mbi kokë, nëse jo për vetën të paktën për fëmijët e tyre. Organizatat dhe vullneti i mirë i njerëzve po mbetët shpresa e këtyre familjeve.
Por, asnjëherë nuk e mendojnë që shtëpinë do ia ndërtojnë komunat apo Qeveria e Kosovës, e që kjo e fundit ka dhënë 53 milionë euro shtesë kompanisë “Bechte&Enka” që është duke e bërë ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Në rast se Qeveria e Kosovës do t’i ndante 53 milionë euro për ndërtimin e një shtëpie me 3 dhoma, kuzhinë, banjo, korridor dhe komplet të mobiluar me hiç më shumë se 20 mijë euro, atëherë, 2 mijë e 650 familje do të bëheshin me kulm mbi kokë, shkruan Ndërtimi.info.
Por edhe nëse ndërtimi i një shtëpie do të kushtonte 25 mijë euro edhe atëherë nuk do ishte pak numri i familjeve që do siguronin një shtëpi. Nëse nga 53 milionë eurot do të ndaheshin për ndërtimin e një shtëpie 25 mijë euro, nga kjo do të ndërtoheshin 2 mijë e 120 shtëpi.
Në versionin tjetër, nëse shtëpia do kushtonte 28 mijë, me 53 milionë euro do të gëzonin me shtëpi 1 mijë e 893 familje.
Por, ndërkohë vendi më i varfër në rajon po ka buxhet që të paguajë borxhe në vlera milionëshe.
Shteti i Kosovës i dha kompanisë “Bechtel&Enka”, e cila po e ndërton autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”, hiç më pak se 53 milionë euro pagesë shtesë për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave.
Ndonëse për ndërtimin e kësaj autostrade në fillim ishin planifikuar të shpenzoheshin 608 milionë euro, tani kjo shifër për shkak të mos përmbajtjes së kushteve të kontratës ka arritur në 700 milionë euro, shkruan Ndërtimi.info.
