Aktuale
Sa ndikoi ndërtimtaria në rritjen ekonomike?

Rritja e aktivitetit të shtuar në sektorin e ndërtimtarisë, po konsiderohet si një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen vjetore të ekonomisë së vendit prej rreth 3.7 për qind për vitin 2017. Sipas qasjes së prodhimit, në aktivitetin ekonomik ndërtimi morri pjesë me 12.4 për qind.
Por, përveq sektorit të ndërtimtarisë, në rritje ekonomike po del të kenë ndikuar edhe sektori financiar dhe ai i tregtisë, shkruan Ndërtimi.info.
“Sipas qasjes së prodhimit, aktiviteti ekonomik vlerësohet të jetë mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimit, konkretisht, rritja e vlerës së shtuar nga sektori financiar (22.6 përqind), sektori i ndërtimit (12.4 përqind), dhe tregtisë (6.2 përqind). Ndërsa, rënie reale vlerësohet të jetë shënuar tek administrimi publik (1.6 përqind) dhe shërbimet tjera (18.4 përqind).”
Krejt kjo sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për vitin 2017.
Në bazë të raportit të BQK-së për vitin e kaluar, edhe numri i ndërmarrjeve në sektorin e ndërtimtarisë shënoi rritje. Krahasuar me vitin 2016, në 2017 sektorit të ndërtimtarisë iu shtuan edhe 12 ndërmarrje më shumë.
Ndërsa, për dallim nga sektori i ndërtimtarisë, në atë të prodhimit, tregtisë dhe bujqësisë, numri i ndërmarrjeve shënoi rënie.
“Në sektorin e prodhimit janë regjistruar 291 ndërmarrje më pak, në sektorin e tregtisë 276 ndërmarrje më pak, në sektorin e bujqësisë 268 ndërmarrje më pak, etj. Sektorët që shënuan numër më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara ishin sektori i aktiviteteve profesionale (80 ndërmarrje më shumë), informacionit dhe komunikimit (18 ndërmarrje më shumë), si dhe sektori i ndërtimtarisë (12 ndërmarrje më shumë)”, thuhet në raportin e BQK-së.
Edhe investimet e huaja direkte (IHD), shënuan rritje në ndërtimtari. E përveq në IHD, shënuan rritje edhe në kreditim.
“Deri në dhjetor 2017, rritje të kreditimit shënuan të gjithë sektorët ekonomikë. Sektorët që shënuan rritje më të theksuar të kreditimit gjatë vitit 2017 ishin sektori i ndërtimit, bujqësisë dhe prodhimit (26.1 përqind, 13.4 përqind dhe 9.3 përqind)”, thekson raporti.
Po ashtu, kreditë e reja ndaj ndërmarrjeve në vitin 2017 shënuan rritje vjetore të theksuar prej 34.7 përqind. Struktura e kredive të ndërmarrjeve sipas veprimtarive ekonomike vazhdon të mbetet e dominuar nga kreditë e destinuara për sektorin e tregtisë, pasuar nga ato për prodhimtari dhe ndërtimtari ./Ndërtimi.info
