Aktuale
Sa kilometra rrugë mbetën pa u shtruar deri më 2016 në Kosovë

Kosova vazhdon që të investojë miliona euro në rrugët e saj, qoftë në asfaltimin e atyre ekzistente apo edhe në hapjen e ndonjë rruge të re.
Kosova, deri në vitin 2016, zyrtarisht i ka gjithsej 2.033.4 kilometra rrugë, prej të cilave 1.943,4 apo 95.6 për qind janë të asfaltuara, pa përfshirë rrugët ndërkomunale. E, rrugë të paasfaltuara në tërë territorin e Kosovës ekzistojnë 90 kilometra apo 4.4 për qind e totalit të rrugëve, shkruan Ndërtimi.info
Kështu ka bërë të ditur Agjencia Kosova e Statistikave (ASK), përmes Statistikave të Transportit dhe Telekomunikacionit për tremujorin e 3-të të vitit 2017.
Gjatë vitit 2015 Kosova ka pasur 1.923.4 kilometra rrugë të asfaltuar, ndërsa në vitin 2016 ka pasur 1.943.4 kilometra apo 20 kilometra më shumë.
Pasi që ende vazhdojnë investimet në rrugët në pjesë të ndryshme të territorit të vendit, ende nuk është bërë riklasifikimi i këtyre rrugëve.
Deri në vitin 2011 Ministria e Infrastrukturës (MI) ka dhënë të dhëna për ndryshme vetëm në rrugët nacionale dhe regjionale, ndërsa duke filluar nga viti 2011 ka filluar edhe me të dhëna për auto-udhë.
Sipas këtyre të dhënave deri ën vitin 2016, Kosova ka 98 kilometra rrugë të kategorisë autoudhë, 630.4 kilometra rrugë nacionale dhe 1.305 kilometra rrugë regjionale. Nëse këto të dhëna shndërrohen në përqindje i bie që në Kosovë 5 për qind janë autoudhë, 31 për qind rrugë nacionale dhe 64 për qind janë rrugë regjionale.
Duke iu referuara këtyre të dhënave bëhet e ditur se gjatë viti 2016 Kosovës i janë shtuar 20 kilometra autoudhë. Ndërsa, sipas këtyre të dhënave Kosovës nuk i është shtuar asnjë metër rrugë nacionale apo regjionale.
