Featured
Sa kanë guxim punëtorët e ndërtimtarisë të lajmërojnë cenimin e të drejtave në punë

Iu shkelen të drejtat e tyre, por nuk e kanë guximin të raportojnë për shkeljet ndaj tyre, këta janë punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë.
Megjithatë vetëdija e punëtorëve për të raportuar shkeljet ndaj tyre në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat në Kosovës, po rritet gradualisht, shkruan Ndërtimi.info
Gjithashtu, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ndërtimi.info ka treguar se këta punëtorë shpeshherë punojnë edhe me humbje brenda muajit. E “shpresa” që një ditë do të bëhet mirë po i shtynë punëtorët që të bëjnë këtë punë.
“Ajo rritje po bëhet në mënyrë graduale. Por, megjithatë unë shumë nuk i shoh fajtor edhe punëtoret sepse fuqia e madhe e punëtorëve për tu angazhuar diku dhe mungesa e punës. Andaj vetë dhe kërkesa e fuqisë punëtore e bënë të vetën dhe punëtorët janë të gatshëm shpeshherë janë të gatshëm me punu edhe me humbje brenda muajit sepse ka punëtorë që udhëtojnë nga një komunë në komunë tjetër dhe në fund të muajit ai merr 200 euro dhe nëse llogariten shpenzimet e udhëtimit dhe të ushqimit shpeshherë mundet me dalë në humbje. Por megjithatë këta punëtorë përherë me shpresë po jetojnë se ndoshta një e nesërme do të bëhet e mirë.”, tha Azemi.
Punëtorët po e kanë një pikë “shprese” po jo edhe kryetari Azemi, pasi që siç tha ai për momentin nuk ka lëvizje pozitive.
“Por megjithatë, fatkeqësisht unë po e them këtë unë për momentin nuk po e shoh që do të ketë lëvizje pozitive”, shprehet Azemi.
Ndryshe ai ka thënë se sindikata ka dy ekstreme, njëra është që në disa vende nuk ka shtrirje, kurse ekstremi tjetër është se në ato vende që kanë shtrirje, organizimi është i mirë.
Tutje ai ka shtuar se ka raste ku udhëheqësit sindikata të shoqatave janë më të avancuar se vetë sindikata që ai drejton.
