Aktuale
Rrugët e Prishtinës, të rrezikshme për çiklistët
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/Capture-4.jpg)
Me pengesa, Berat Rakovica, përballet çdo herë që del me biçikletë në rrugët e Prishtinës.
Në mungesë të shtigjeve të çiklizmit në shumë rrugë, ai detyrohet të rrezikojë duke tejkaluar veturat që ndalen në mes të rrugës, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Udhëtimi i tij bëhet më i lehtë kur mbërrin te rrugët e pakta që kanë shirit për biçikleta, si kjo në lagjen “Mat”.
Ndërsa vështirësitë kthehen sërish në rrugën “B”, te kahu i cili nuk ka shirit për biçikleta.
Rakovica, nga grupi “Marakli të Biçikletave”, kritikon edhe policinë, e cila, sipas tij, shumë herë nuk u del në ndihmë.
Shtigjet ekzistuese, si ky në rrugën “B”, Rakovica thotë se janë të vështira për t’u përdorur, pasi thekson se shpesh edhe ato janë të bllokuara nga veturat.
Gjatë qershorit, policia ka ndërmarrë aksione për konfiskimin e automjeteve të parkuara në trotuare, ku për afro një muaj ka shqiptuar rreth një mijë gjoba.
Aksioni ka përfunduar javën e kaluar, derisa policia ka bërë të ditur se do të shqyrtojë mundësinë për vazhdimin e tij.
Në anën tjetër, kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se është duke u përfunduar dizajni i shtigjeve të reja të biçikletave që parashihen me planin e mobilitetit.
Ai ka shtuar se së shpejti do të nisin punët fizike për ndërtimin e këtyre shtigjeve.
Ahmeti ka thënë se do të rregullojnë edhe shtigjet ekzistuese të cilat nuk janë ndërtuar mirë dhe nuk po mirëmbahen siç duhet.
Plani i mobilitetit parasheh një shteg të ri çiklizmi nga qendra e qytetit drejt parkut të Gërmisë nëpërmjet rrugëve Haxhi Zeka, Nazim Gafurri dhe Shpëtim Robaj.
Tutje, rekomandohet që rrjeti të shtrihet në drejtim të zonave “Prishtina e Re” dhe “Hajvali”, nëpërmjet shtigjeve që hyjnë në këto zona dhe çojnë në drejtim të Zllatarit dhe liqenit të Badocit.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)