Featured
Rrugët e paasfaltuara pengojnë zhvillimin e bizneseve në fshatra

Blerim Dervodeli, dy vjet më parë, e la qytetin për t’iu kthyer punës në vendlindjen e babait të tij në Tërstenë të Kamenicës.
Vendosi që në këtë tokë të ndërtojë dy ferma të bagëtisë, për të kultivuar e më pas për t’i shitur ato, raporton KTV.
Por për këtë fermer problem është bërë rruga e paasfaltuar, të cilën e kalon pothuajse çdo ditë.
Ankohet se kjo po i shkakton vështirësi të shumta për zhvillimin e biznesit, të cilin e kishte nisur me shpresë se rruga 13 kilometërshe, e cila lidh gjashtë fshatra, do të asfaltohej shumë kohë më parë.
Dikur ky fshat kishte 63 shtëpi të banuara, ndërsa tani ka vetëm 13 sosh.
Në këtë shpërngulje aq të madhe banorët thonë se ka ndikuar edhe mungesa e infrastrukturës rrugore.
Sipas këtyre banorëve të mbetur, po që se Ministria e Infrastrukturës do t’ua rregullonte rrugën, shumë të shpërngulur do të ktheheshin për t’u marrë me bujqësi.
Në Komunën e Kamenicës thonë se asfaltimi i kësaj rruge i takon Ministrisë së Infrastrukturës, pasi që është rrugë regjionale.
Megjithatë, nënkryetari i komunës thotë të kenë marrë zotime nga ministri Lekaj se do të shikojë mundësinë për ta zgjidhur problemin e tyre.
