Featured
Rruga që u asfaltua vjet, vështirë e kalueshme sivjet
Një projekt i Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e një rruge të re 1.5-kilometërshe, që lidh Mikushnicën me rrugën Skenderaj – Vushtrri, në Gofile, ka dështuar plotësisht pasi vetëm një vit pas asfaltimit është bërë vështirë e kalueshme. Drejtoresha Sanie Ahmeti: Punëkryesi është urdhëruar ta riparojë rrugën, por nuk ka bërë asgjë, duhet të punohet nga fillimi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Skenderaj. Një rrugë e re nëpër arat e ish-ndërmarrjes bujqësore “Produkti”, e cila lidh Mikushnicën me rrugën Skenderaj – Vushtrri, në Gofile, është asfaltuar në fillim të vitit 2018, por vetëm pas një viti asfalti është “zhdukur” e traseja është shndërruar në gropa, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve, të cilat i ka kryer kompania vendore “Kalaja”.
Zyrtarët e kësaj kompanie vazhdimisht përpiqen t’i mbulojnë pjesët e dëmtuara (gropat) me asfalt të ri, por arnimi nuk ka bërë punë, pasi shtresa e asfaltit sakaq çahet dhe plasaritet në të gjitha anët.
Vetëm para pak ditëve punëkryesi ka mbyllur të gjitha gropat dhe i ka shtruar me asfalt të ri pjesët e dëmtuara pothuajse përgjatë gjithë rrugës, por këto punë nuk kanë dhënë asnjë rezultat, shkruan më tutje “Zëri”.
Me fillimin e dëmtimit të rrugës, që ka nisur vetëm rreth 3 muaj pas asfaltimit, Komuna e Skenderajt nëpërmes Drejtorisë së Urbanizmit ka kërkuar zyrtarisht nga kompania të ndërhyjë për t’i riparuar dëmtimet.