Aktuale
Rruga në Frashër të Mitrovicës vjet u shtrua asfalt mbi asfalt, sivjet u mbush me gropa

Në tetor të vitit të kaluar, Ministria e Infrastrukturës pati shtruar asfalt mbi asfalt në rrugën regjionale të Fshatit Frashër të Komunës së Mitrovicës.
Tërë kjo, me qëllim të rritjes së kualitetit të rrugës, raporton Kohavisioni.
Por ende pa u bërë një vit nga ky projekt që ministrisë i kushtojë 65 mijë euro për një kilometër rrugë, ka nisur të shkatërrohet duke u mbushur me gropa.”
Dëmin më të madh për këtë po e pësojnë banorët.
Pasoja ka filluar të ketë edhe për ngasësit e automjeteve.
Në dijeni për dëmtimin e rrugës është edhe menaxheri i projektit, Agron Beshiri.
Ai ka thënë se kompania është e detyruar që t’i riparojë dëmet, pasi ka kontratë me afat garantues deri në muajin prill të vitit 2019.
“Kompania është e detyruar të riparojë dëmet e krijuara, pasi që është nën afatin garantues deri në muajin prill 2019. Për këtë u janë drejtuar shumë herë me kërkesa, por si thuhet në zhargonin popullor, sot – nesër, sot – nesër. Për këtë arsye, i jemi drejtuar, përveç Kompanisë Alko Impex, edhe Departamentit për Mirëmbajtjen e rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Skender Gashi, Sekretarit Nebih Shatri dhe Drejtorit të Prokurimit, Nexhat Krasniqi”, ka thënë Agron Beshiri, menaxher i projektit.
Në kompaninë në fjalë, përmes telefonit, kanë thënë se sanimet kanë mbetur pa u përfunduar, shkaku i kohës dhe brenda një afati prej dy javësh do të përfundojnë punimet.
Por, një përgjigje krejtësisht tjetër ka dhënë zëvendësministri, Fatos Mani.
Sipas tij, ministria nuk ka kompani të kontraktuar për mirëmbajtjen e asaj rruge.
“Sanimi i shtresës së asfaltuar të rrugës në fjalë është bërë përmes mirëmbajtjes. Tani që po flasim, kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve në Regjionin e Mitrovicës ka skaduar dhe ne nuk kemi kompani fituese”, ka thënë Fatos Mani, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës.
Mani ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme, një komision i caktuar nga ministri Lekaj, do të dalë në vendin e ngjarjes për të bërë vlerësimet.
