Aktuale
“Rruga Model” për rikthimin e Prishtinës së vjetër
Nëse gjithçka shkon sipas planit, rrugës “Mehmet Kaçuri” do t’i rikthehet autenticiteti.
Autoritetet komunale kishin paralajmëruar që punimet në këtë rrugë do të fillonin në pranverën e vitit që shkoi, por Komuna e Prishtinës tek tash e ka publikuar tenderin për rigjenerimin e saj.
Mbi 300 mijë euro janë ndarë për jetësimin e projektit të “Rrugës Model” për rikthimin e Prishtinës së vjetër. Projekti i hartuar nga organizata joqeveritare “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, ka qenë gati qysh prej shtatorit të vitit 2018, raporton “Express” i KTV-së.
Sipas Blerta Bashollit, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës, fillimi i punimeve është zvarritur për shkak që ky institucion ka marrë komentet e drejtorive kompetente dhe ishte në pritje të dritës së gjelbër nga Insituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.
Në këtë rrugë, ndodhet edhe shtëpia e Kurtesh Sylejmanit, e cilësuar si më e vjetra në kryeqytet si dhe shtëpia-monument e Muharrem Sejdiut. Të dyja këto objekte janë në gjendje të rëndë.
Nga ana tjetër, Nol Binaku nga organizata “CHwB”, thotë se arsye e vonesës së punimeve është fakti që projekti është shumë i komplikuar.
Sipas Binakut, punimet në “Rrugën Model”, do të duhet të mbikëqyren me shumë kujdes.
Yll Rugova, i cili ishte drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës në kohën e inicimit të këtij projekti, thotë se është urgjente të ndërhyhet në ndërtesat që ndodhen në pjesën e vjetër të qytetit.
Sipas planit, rikthimi i një copëze të identitetit të vjetër të Prishtinës do të bëhet nëpërmjet fasadave të reja për dyqanet, ndriçimit të ri dhe një shtresë kubëzash sikur kalldrëmet e moçme.