Aktuale
Rruga historike “Marin Barleti” në Prizren, me rigjenerim urban

“Ec ma ndryshe” dje në DokuKino në Prizren, kanë bërë prezantimin final mes donatorëve dhe partnerëve të projektit “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit, shkruan Ndërtimi.info.
Përmes një postimi në Facebook ata kanë njoftuar se në prezantim është paraqitur zgjidhja përfundimtare e projektit për të gjitha 14 ndërtesat e trashëgimisë kulturore në rrugën Marin Barleti përfshirë edhe intervenimet në ndërtesat e reja si dhe planin e dizajnit urban të lagjes.
Postimi i plotë:
“Sot, në DokuKino në Prizren është bërë prezantimi final mes donatorëve dhe partnerëve të projektit “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit.
Në prezantim është paraqitur zgjidhja përfundimtare e projektit për të gjitha 14 ndërtesat e trashëgimisë kulturore në këtë rrugë përfshirë edhe intervenimet në ndërtesat e reja si dhe planin e dizajnit urban të lagjes. Prezantimi është përmbyllur me ekspozitën e projektit.
Fjalimet hyrëse dhe përshëndetëse janë bërë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi, shkëlqësia e tij, Ambasadori Britanik në Prishtinë z. Ruairí O’Connell, zëvendës udhëheqësi për bashkëpunim nga Zyra e BE-së, z.Libor Chlad dhe kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka. Prezantimi i projektit është bërë nga bashkë-koordinatorët e projektit z. Enes Toska nga EC Ma Ndryshe dhe Nora Arapi Krasniqi nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Qëllimi kryesor i projektit ka qenë krijimi i një shembulli pozitiv të rigjenerimit urban që do të ndikojë në ruajtjen e karakterit historik të qytetit dhe ofrimi i kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal. Ky projekt është udhëhequr nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit”, shkruan “Ec ma ndryshe”.







