Featured
Rruga e shëmtuar për në fshatin e bukur

Në maj të 2015-s Komuna e Prishtinës kishte njoftuar për dhënien e kontratës për kryerjen e përgatitjeve për asfaltimin e rrugës Matiqan-Butovc-Kolovicë.
Pas verës së atij viti, disa herë ishte paralajmëruar asfaltimi i kësaj rruge.
Por, tri vjet pas, ajo ka mbetur vetëm në zhavorr, raporton “038” në KTV.
Kjo edhe përkundër se në fillim të këtij viti, në Komunën e Prishtinës patën thënë se asfaltimi do të bëhej gjatë kësaj vere.
Në një përgjigje dhënë Kohavisionit, në shkurt ë këtij viti, zyrtarë të Komunës së Prishtinës patën thënë se projekti për asfaltimin e kësaj rruge është në proces të tenderimit, por kur jemi në gjysmën e dytë të shtatorit, në prag të fillimit të vjeshtës, në këtë rrugë nuk shihet asnjë gjurmë asfalti. Madje, gjendja e saj vetëm sa është përkeqësuar nga reshjet e shiut gjatë kësaj vere.
Qytetarët theksojnë nevojën e zgjidhjes së problemit të rrugës, që lidh kryeqytetin me Butovcin, fshat ky i njohur për potencialin turistik.
Vozitja nëpër rrugën me gropa, thonë se po u shkakton prishje në automjete dhe po i detyron të rrallojnë vizitat në këtë fshat.
Problem tjetër është rritja e deponive të mbeturinave përgjatë rrugës, të cilat shëmtojnë pamjen e bukur që ofron ky fshat.
Po ashtu, zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në shkurt të këtij viti, patën premtuar largimin e mini-deponive të mbeturinave përgjatë kësaj rruge. Por shtatë muaj pas, gjendja vetëm është përkeqësuar, pasi ato që atëkohë ishin mini-deponi, më nuk janë të tilla.
Gjatësia kësaj rruge të paasfaltuar që nga Matiqani kalon prapa Gërmisë, nëpër Butovc, e më pas lidhet më Kolovicen, është 10 kilometra.
https://video.gjirafa.com/koha?video=rruga-e-shemtuar-per-ne-fshatin-e-bukur
