Featured
Rruga e Peklenës në Pejë nuk funksionalizohet as vitin e ardhshëm
Projekti për ndërtimin e rrugës së Peklenës, e cila gjarpëron bjeshkës nga qyteti i Pejës në drejtim të Rugovës, ka hyrë në vitin e tij të tretë.
Komuna nuk e ka paraparë me kohë një qasje tjetër në këtë rrugë. Tek tash, ajo për vitin tjetër planifikon ndërtimin e një transiti për qasje në rrugën e Peklenës, shkruan sot Koha Ditore.
“Rruga e Peklenës lidhet nga qyteti përmes një rruge të lagjes dhe ajo nuk ka kapacitet për gjithë atë numër të automjeteve që do të shtohen kur të përfundojë rruga e Peklenës. Për këtë arsye kemi planifikuar ta ndërtojmë një rrugë tjetër për qasje në rrugën e Peklenës. Ajo është paraparë të ndërtohet prej rreth rrotullimit rrugor ndër shkollën e mesme ekonomike ku bashkohen rrugët nga Istogu, Rozhaja dhe rruga e transitit”, tregon drejtori i Financave, Jeton Abazaj, vendin se nga ku do të bëhet qasja e re në rrugën e Peklenës.
Ai konsideron se nga ai rreth-rrotullim rrugor do të ketë një qasje më të mirë në rrugën e Peklenës, pa pasur nevojë të hyhet në qytet dhe të ngarkohen rrugët e qytetit me trafikun shtesë nga automjetet që duan të dalin në Rugovë asaj rruge.
Rruga nga ai rrethrrotullim deri te kyçja në rrugën e Peklenës, sipas Abazaj do të jetë e gjatë rreth tri kilometra dhe ky projekt, siç thotë ai, është llogaritur të kushtojë 800 mijë euro.
Mjetet për ndërtimin e kësaj rruge komuna planifikon ti merr nga qeveria, sikur se edhe për nëntë projekte tjera me vlerë të përgjithshme prej 4.6 milionë euro.