Aktuale
Rruga e “ferrit” në Mihaliq të Vushtrrisë [video]
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/3a2sd1a.jpg)
Qarkullimi i automjeteve është mjaft i madh në rrugën e fshatit Mihaliq të Vushtrrisë, pasi lidh disa fshatra. Mirëpo, ata që marrin këtë rrugë që në hyrje të fshatit e deri në dalje të tij do të ballafaqohen dëmtime të mëdha të rrugës.
Kushtrim Hajzeri
Rruga që sipas banorëve është ndërtuar në vitin 1988, tash e pesë vjet është në gjendje të rëndë. Por, institucionet kompetente nuk po ndërhyjnë.
E, me këtë rrugë çdo ditë ballafaqohen banorët e rreth 300 shtëpive të fshatit. Por, bashkë me ta edhe shumë qytetarë të tjerë.
Banori, Fatmir Murati tregon hallin që kanë me rrugën e cila po e bën atë të vizitojë shpesh servisin e automjetit.
“Kjo rrugë është kur është ndërtuara në ’88-ën dhe prej masluftës e kanë prish krejt tenkat e të tjera… Na kanë premtu disa herë, na kanë thënë në shtator e kurrë nuk e kanë rregullua. E kanë ripërtërirë nga pak, por asgjë…. Vështirë boll. Qe kqyre kerri është prish, tash po duhet me çu te mjeshtri me ndreq. Po prishet goma, e krejt”, ka thënë ai.
E, premtimet e institucioneve , se do të bëhet zgjidhje për këtë problem, nuk kanë munguar. Banorët e fshatit premtimet i kanë të dëgjuara çdo vit rregullisht. I fundit ishte se rruga do të rregullohet në qershor të këtij viti.
Kështu thotë banori, Alban Syla, i cili çdo ditë me apo pa dëshirë e shfrytëzon këtë rrugë.
“Siç shihet rrugë është shumë e dëmtuar. Ka shumë vjet kështu janë duke kaluara nëpër këto gropa. Me premtime hajt sivjet, hajt sivjet… Thuajse që pesë vjet është kështu… Po, vjet kanë dhënë që në qershor do të shtrohet, por nuk është shtruar”, ka treguar ai.
I mllefosur më gjendjen e rrugës ishte edhe Besim Sinani nga Vushtrria. Ai shpjegoi vështirësitë që kishte gjatë shfrytëzimit të kësaj rruge.
“Nuk jam banor, por i rash kësajde për Plemetin, me dal këtu në rrugë për Milloshevë, por tmerr ish rruga, katastrofë. S’di për Qeverinë tonë si s’munden me ardh me provo njëherë vet, me i ra kësaj rruge”, u shpreh ai.
E, Komuna e Vushtrisë, e cila është në dije për gjendjen e kësaj rruge, nuk merr përgjegjësi për ndërhyrje.
I kontaktuar nga Ndërtimi.info, zëdhënësi i Komunës, Shemsedin Preteni, përmes telefonit ka thënë se kompetente për këtë rrugë është Ministria e Infrastrukturës.
Në anën tjetër Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur në lidhje me këtë çështje edhe pas tentimit disa ditor.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)