Aktuale
Rruga alternative për Hani të Elezit është e dëmtuar

Si pasojë e rrezikut që rruga nacionale N2, Kaçanik – Hani i Elezit, është mbyllur për qarkullim nga sot, deri në marrjen e një vendimi tjetër. Kjo është bërë me vendim të Ministrisë së Infrastrukturës. Rruga do të jetë e bllokuar nga Guri i Shpum deri në Kashan.
Ndërkaq si rrugë alternative, automjetet do të kalojnë në aksin rrugor Glloboçicë – Gorancë – Hani i Elezit, rrugë e cila ka një gjatësi prej 12 kilometrash dhe e cila vitin e kaluar nga Ministria e Infrastrukturës është asfaltuar dhe ka një gjerësi prej 6 metrash.
Pas vendimit për mbylljen e saj, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës sot qëndruan në komunën e Hanit të Elezit dhe në takim me kryetarin Suma kanë koordinuar aktivitetet që si alternativë e paraparë për qarkullim të shfrytëzohet aksi rrugor Glloboçicë – Gorancë – Hani i Elezit.
Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma vendimin e ministrisë që kjo rrugë të mbyllet për qarkullim për sigurinë e qytetarëve tha se është i drejtë, mirëpo alternativa e propozuar përkatësisht aksi rrugor Glloboçicë – Gorancë – Hani i Elezit në shumë segmente të saja është e dëmtuar shumë seriozisht si pasojë e mospërfundimit të projektit që nga viti 2011.
“Ky aks rrugorë në këtë gjendje nuk ka kapacitete që të përballojë një ngarkesë komunikacioni dhe se urgjent duhet të ndërmerren masa që mos të ndodhë ndonjë fatkeqësi”, ka theksuar Suma.
Në takim u tha se gjendja në rrugën nacionale N 2, Kaçanik – Hani i Elezit është jashtëzakonisht serioze dhe se cilat veprime do të ndërmerren në vijim sa i përket kësaj rruge.
Zv.ministri Kadriu ka thënë se në ditët në vijim do të bëhen matje të vazhdueshme nga ekspertët, në mënyrë që të dihet saktë se sa është lëvizja e terrenit në këtë segment rrugor, që të mund të merren masat e duhura në sanim të dëmit dhe për sigurinë e qytetarëve.
