Aktuale
Rritet paga minimale në Kosovë në 250 euro
Ka kaluar në Kuvendin e Kosovës rezoluta e Partisë Social Demokrate për rritjen e pagës minimale.
Kjo rezolutë ka marrë 62 vota pro, një abstenim dhe një votë kundër, nga deputët e Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti, ka bërë thirrje nga ekzekutivi që sa më shpejt të bëhet implementimi i kësaj rezolute.
“Me iniciativen e PSD Kuvendi ka votuar rritjen e pages minimale në 250 Euro. Bëjmë thirrje tek ekzekutivi që sa më shpejtë të ndërmerr hapat për implementimin e rezolutes ku asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk bën të paguhet nën 250 euro”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
E, deputeti i Partisë Social Demokrate ,Dardan Molliqaj, për këtë rritje ka thënë që nuk është e mjaftueshme, por që shumë familje do ta ndjejnë këtë rritje.
“Ne jemi të vetëdijshëm që edhe kjo shumë nuk është e mjaftueshme, por nga pozicioni i opozitës nuk mundemi ta rrisim më shumë. Megjithatë, ekonomia e shumë punëtorëve dhe familjeve do të preket dukshëm nga kjo rritje”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Ai, gjithashtu ka paralajmëruar që hapi i radhës nga kjo parti do të jetë rritja e inspektorëve të punës.
“Beteja jonë e radhës është rritja e numrit të inspektorëve të punës, në mënyrë që të respektohen të drejtat e punëtorëve ashtu siç parashihen nga ligjet në fuqi, ka shtuar ai.
Molliqaj, ka thënë se ky nuk do te jetë veprimi i fundit, që qytetarëve tu ndryshohet jeta.





