Aktuale
“Rritet fitimi neto, bien humbjet nga kreditë e këqija”
Banka më e madhe në Itali, UniCredit, raportoi rezultatin për tremujorin e tretë, me një fitim neto prej 838 milionë euro, në rritje të mprehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke përfshirë të ardhurat prej 2.1 miliardë euro nga shitja e biznesit të manaxhimit të aktiveve “Pioneer”, fitimi neto i UniCredit arriti në 2.82 miliardë euro. Banka raportoi një fitim prej 447 milionë euro vitin e kaluar, për shkak të rritjes me 1 miliardë euro të provigjoneve për kreditë e humbura.
Humbjet nga kreditë u reduktuan në 598 milionë euro në tremujorin e tretë, raporton banka. Nën drejtimin e kreut të ri ekzekutiv, Jean Pierre Mustier, banka ka rritur kapitalin nëpërmjet një emetimi të ri të aksioneve prej 13 miliardë euro këtë vit, për të financuar pastrimin e bilancit nga 17.7 miliardë euro në kredi të këqija.
UniCredit deklaroi se mjaftueshmëria e kapitalit, një masë e aftësisë së huadhënësit për të absorbuar humbjet e mundshme, do të arrijë në 13.5% në fund të muajit Shtator, në rritje nga 12.8% që ishte në Qershor, apo në fund të tremujori të dytë.
UniCredit bëri të ditur se tarifat janë rritur me 4% në tremujorin e tretë me bazë vjetore. Të ardhurat nga tregtia ranë ndjeshëm me bazë tremujore dhe vjetore, ndërsa të ardhurat neto nga interesat patën rënie gjithashtu.
Megjithatë, banka do të shkurtojë 14,000 vende pune deri në 2019-ën dhe ka manaxhuar të reduktojë personelin dhe kostot administrative gjatë periudhës. Aksionet nuk patën luhatje pas publikimit të të dhënave, duke u tregtuar në 17.12 euro. /SCAN