Aktuale
Rritet buxheti i Tiranës, ja çfarë thotë Veliaj
Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2018 është 15% më i lartë se ai i një viti më parë, ndërsa rritja ka ardhur si rrjedhojë e performancës në mbledhjen e taksave dhe tarifave dhe zgjerimit të bazës së taksapaguesve.
Të dhënat janë bërë publike nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, gjatë nisjes së konsultimeve me publikun, të cilat nisën nga Njësia 7.
“Këtë vit e rrisim buxhetin me 15% krahasuar me një vit më parë, çka bën që të jetë buxheti më i madh historik i Bashkisë së Tiranës që nga themelimi i saj. Morëm një bashki me 1/3 e buxhetit dhe gjëja e parë që bëmë, vendosëm që s’do ketë diferencime, jo ca të nënës dhe ca të njerkës; pra, të gjithë do ta paguajnë ujin, të gjithë do t’i paguajnë taksat. Ishim në një situatë ku njerëzit e ndershëm që paguanin dukeshin si budallenj, sepse ca të tjerë nuk paguanin asgjë. Kështu, vetëm nga fakti që tani të gjithë paguajnë, buxheti i bashkisë u trefishua”.
Sipas Veliaj, me rritjen e buxhetit do të rriten edhe investimet, jo vetëm në Njësië 7, por në të gjithë kryeqytetin.
“Investimet për Njësinë 7, që këtë vit kanë qenë në një vlerë të konsiderueshme, 440 milionë, do të rriten me këtë ritëm. Duke filluar nga ky vit qyteti do të shohë se si do të nisë balancimi i zhvillimit në anën tjetër; pra, kemi pasur një dyndje në këtë anë, tani do balancohemi në anën tjetër, për t’u shtrirë në një sipërfaqe të re që kemi përfituar nga Bulevardi i Ri i Tiranës. Lana do të duhet të vazhdojë edhe në pjesën e Shkozës, do të duhet të vijojë edhe në pjesë të Njësisë 7, pra është të themi ky kryq i madh i qytetit që e ndan qytetin në katër hapësira të mëdha banimi. Për më të rinjtë do të bëjmë rikonstruksionin total të Piramidës”.
Sa i përket projekteve konkrete që prekin direkt Njësinë 7, Veliaj theksoi mes tyre ato për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Sabaudin Gabrani 1” dhe “Gustav Majer”, ndërtimin e dy këndeve të tjera për fëmijë, ndërtimi i një pjese të Unazës së katërt, si dhe rikualifikimi urban i disa blloqeve banimi dhe i disa rrugëve.