Arkitekturë
Rreth 21 mijë rrugë në Kosovë kanë emra, mbi 1200 tjera ende s’janë pagëzuar

Kushdo që ia mësynë Junikut, Shtërpcës dhe Novobërdës edhe mund ta humbë rrugën, e të mos e dijë se nga të ia mbajë. Kjo për faktin se shumica e rrugëve në këto komuna nuk kanë emra. I vetmi orientim për qytetarët mbetet ai përmes “metodës tradicionale” atë të objekteve. As në komunat veriore nuk është bërë asnjë emërtim i rrugëve, shkruan Gazeta Express.
Janë më se 1 mijë e 282 rrugë në tërë vendin që nuk kanë emër, gjersa procesi i emërtimit ka përfunduar tashmë për 20 mijë e 844 rrugë deri më tani.
Por, edhe pse janë më shumë se 1 mijë rrugë të pa emërtuara, në Agjencinë Kadastrale të Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se ende nuk dihet se kur do të përfundojë ky proces pasi që kjo varet nga Komunat, ngase përgjegjësia u takon atyre.
“Procesi i emërtimit të rrugëve është përgjegjësi e komunave, përkatësisht asambleve komunale dhe varet nga komunat përfundimi i këtij procesi”, thuhet në përgjigjet e Agjencisë Kadastrale për Gazetën Express.
Përveç që në disa komuna ky proces ka mbetur në gjysmë, ka edhe komuna të tjera në të cilat ky proces nuk ka filluar fare.
As edhe një rrugë e vetme nuk ka marrë emër në katër komunat e veriut të Kosovës. Rrugët e Leposaviqit, Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit vazhdojnë të mbesin pa emra.
“Procesi i emërtimit nuk ka përfunduar në Junik, Novobërdë dhe Shtërpcë. Ndërsa, nuk ka filluar ende në komunat: Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan.”
Gjersa procesi i emërtimit dhe riemërtimit të rrugëve ka përfunduar në gjithsej 31 komuna të vendit.
Prishtina, Peja, Prizreni e Gjilani janë vetëm disa prej komunave që e kanë përfunduar këtë proces.
“Rrugët emërtohen si tërësi brenda një komune. Brenda një komunë mund të ketë rrugë të cilat janë në proces të riemërtimit pas emërtimi të parë. Kemi 31 komuna që i kanë emërtuar rrugët dhe 7 tjera qe nuk e kanë përmbyllur këtë proces (4 nga to janë në Veri)”, kanë thënë nga AKK-ja për Express.
E shumica e rrugëve kanë marrë emra shqiptarë, derisa nuk mungojnë edhe ata të huaj, ndonëse për numrin e saktë të tyre, në AKK thonë se nuk kanë ndonjë statistikë.
Në këtë Agjenci kanë sugjeruar që edhe për numrin e rrugëve me emra të huaj e edhe për koston e këtij procesi t’i drejtohemi secilit kuvend komunal.
Gjersa thonë se emërtimin e rrugëve, komunat e realizojnë përmes propozimeve të komisioneve për emërtimin e rrugëve që funksionojnë në kuadër të komunave përkatëse.
“Përgjegjësinë për emërtimin e rrugëve e kanë Asambletë komunale sipas Ligjit Nr. 03/L-040< neni 17. Pika O, dhe Ligji për Sistemin e Adresave Nr. 04/L-071, Neni 7. Këtë përgjegjësi komunat e realizojnë përmes formimit të komisioneve për emërtimin e rrugëve të cilët propozojnë emrat në Asamblenë komunale. Përgjigjen në këtë pyetje mund të gjeni tek komunat”, thonë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Kriteret e emërtimit të rrugëve janë të përcaktuara edhe me Ligjin për Sistemin e Adresave, si me Udhëzimin Administrativ për adresat.
Sipas Nenit 9 të Ligjit për Sistemin e Adresave, emërtime të ndaluara për Zonat e Qarkullimit Publik janë inicialet, shkurtesat dhe emrat e shkurtuara, emrat në gjuhët e huaja, emrat që përmbajnë gabime gjuhësore, si dhe emrat e familjeve.
Ndërkohë, edhe disa prej rrugëve që tashmë kanë emra pritet t’i nënshtrohen procesit të riemërtimit. E gjithë kjo pasi që qytetarët po ankohen për emrat e rrugëve në qytetet e tyre.
Vetëm nga Komuna e Podujevës kohë më parë ishin dorëzuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor (MMPH), rreth 100 ankesa. Por, ende nuk dihet nëse këto ankesa janë shqyrtuar nga kjo ministri dhe se çfarë vendimi është marrë për to.
Gazeta Express ka drejtuar pyetje në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të marrë informacione se sa ankesa janë dorëzuar dhe se kur do të shqyrtohen, por në MMPH nuk kanë kthyer përgjigje
