Aktuale
Rrëshqitje e dheut në Prishtinë, ndërprehet mësimi në një shkollë
Në rrugën ‘Qamile Jaka’, në Prishtinë ka rrëshqitur dheu përçka disa familje janë evakuuar nga shtëpitë. Sipas informatave të para nga vendi i ngjarjes, dyshohet se shkaktar i rrëshqitjes është shpërthimi i një gypi të ujësjellësit.
Në vendin e ngjarjes ka dalë inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe njësitet e emergjencës.
I pari i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se objekti që po ndërtohet i ka të vendosur mbrojtësit apo pilotat sipas lejes së ndërtimit.
“Pilotët janë të vendosur sipas lejes së ndërtimit. Por kur kemi shpërthim të gypave nëntokësor ka edhe kësi gjana të paparashikueshme. Ne jemi këtu për të parë si ta evidentojmë rrezikun në këtë pjesë dhe si do të vazhdohet”, tha Tahiri, raporton Fakte Plus.
Ai nuk e ka komentuar situatën më shumë, duke thënë se do të shohin në vazhdim se cilët janë hapat që do të ndërmarrin.
“Jemi ende në fillim të rastit, dhe mbetët të shihet. Por thuhet se shkak i rrëshqitjes është shkak i shpërthimit të ujësjellësit. Por ne do të shohim se si do të veprojmë me familjet këtu. Ne do të ndërmarrim hapa nëse ka rrezik për t’i larguar qytetarët nga shtëpitë”, theksoi Tahiri.
Në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe zyrtarë policorë dhe departamenti i emergjencave.
Kurse, në shkollën fillore” Naim Frashëri”, e cila gjendet në atë zonë ndërprehet mësimi.





