Featured
Rrëshqet dheu dhe gurët në rrugën Pejë-Bogë

Pas reshjeve të borës që përfshiu vendin, Ministria e Infrastrukturës ka intervenuar me kripë dhe rërë në të gjitha rrugët e Kosovës. Duke bërë kështu që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme.
Ndryshe prej rrugëve tjera në Kosovë që kanë qenë të kalueshme, rrëshqitje të gurëve dhe të dheut ka patur në rrugën Pejë-Bogë, kilometri i 13-të.
Edhe përkundër ndërhyrjeve të ekipeve në terren, ende ekziston rreziku i shembjes së dheut në këtë pjesë, kështu ka bërë të ditur, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në facebook.
“Rrugët janë të gjitha të kalueshme pa ndonjë vështërsi të theksuar. Mbrëmë dhe sot në mengjes,u intervenua me kripë dhe rërë në të gjitha drejtimet, pas reshjeve të dobëta të borës. Në kilometrin e 13 -të Rr. N9 Pejë – Bogë, ka rrëshqitje të gurëve dhe të dheut. Ajo që është e rëndësishme të ceket është se edhe përkundër që ekipet e punëtorëve janë në terren, sërish nuk përjashtohet rreziku i rrëshqitjeve të dheut. Të gjithë qytetarët (pjesëmarrës në komunikacion) të kenë me vete paisjet dimërore”, ka shkruar Lekaj.
