Aktuale
Rrënohet objekti në Qendrën Historike të Prizrenit, ishte pjesë e projektit për rivitalizim
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/berati2.jpg)
Organizata, Ec Ma Ndryshe, ka bërë një reagim në lidhje me rrënimin pa leje të gjysmës së ndërtesës me vlerë, në rrugën “Berati” në Komunën e Prizrenit.
Ky rrënim i gjysmës së kësaj ndërtese është edhe më shqetësues, sipas Ec Ma Ndryshe, për shkak është pjesë e projektit “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti”.
“Ky rrënim bëhet më shqetësues për faktin se kjo ndërtesë është pjesë përbërëse e projektit “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit i hartuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në statusin e organizatës.
Më herët, Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, që në këtë projekt do të investohen 2 milionë euro për të trajtuar 14 ndërtesa të cilat janë në gjendje të padëshirueshme.
“Javë më parë, ministri i kulturës Kujtim Gashi ka theksuar se rruga “Marin Barleti” në Prizren do të revitalizohet dhe do të investohen mbi 2 milion euro. “Projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është një projekt ambicioz dhe tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, pasi që ngërthen në vete trajtimin e 14 ndërtesave të banimit të cilat fatkeqësisht nuk janë në gjendjen e dëshirueshme. Edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-së, ai do të zbatohet në përpikëri, në respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi” është shprehur Gashi”, tregon EC Ma Ndyshe.
Ky rast nuk është rasti i vetëm që Qendra Historike e Prizrenit është duke e vuajtur me rrënimet e ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore. Prandaj, Organizata Ec Ma Ndryshe, ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit që të marrin masa që i përshtatën ligjeve që janë në fuqi në lidhje me objektet e trashëgimisë kulturore.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)