Aktuale
Rrënohen disa mure në fshatin Rahovicë të Ferizajt për zgjerimin e rrugëve
Komuna e Ferizajt ka angazhuar sot disa eskavatorë për rrënimin e mureve në afërsi të shkollës së fshatit Rahovicë për të krijuar rrugë më të gjera për qarkullim.
Me këtë rast u rrënuan muret e familjeve Sylejmani dhe Maliqi të cilat është konstatuar se e ngushtojnë këtë rrugë, shkruan InfoKomuna.
Kryetari Svarqa me këtë rast deklaroi se asfaltimet e reja nuk do të mund të realizohen me standardet e kërkuara në këtë hapësirë andaj është arritur pajtim me këto familje për zgjerimet e nevojshme.
“Sot jemi në fshatin Rahovicë ku po bëjmë rrënimin e disa mureve të cilat janë bërë pengesë për realizimin e disa investimeve publike. Në të dy anët e kësaj rruge po shihet se është krijuar një pjesë e ngushtë në këtë segment të rrugës që lidh fshatin Rahovicë dhe fshatin Mirash në afërsi të shkollës këtu që konsiderohet qendra e fshatit”.
“Në këtë mënyrë ne po i hapim rrugë edhe asfaltimit të rrugëve në këtë pjesë që do të jenë në shërbim të këtyre banorëve, por edhe të gjithë atyre që e shfrytëzojnë këtë rrugë si qajse më të shkurtër për në autorstradë në drejtim të Babushit dhe në pjesën tjetër në drejtim të Gjilanit përmes fshatit Mirosalë”, ka thënë kryetari Svarqa duke përcjellë punimet në fshatin Rahovicë.
Ndërkaq banorët e këtij fshati e mirëpritën angazhimin e komunës për t’ua përmirësuar qarkullimin në fshatin e tyre.
Pohuan se pa hezitim kanë liruar pronat për krijimin e rrugëve më të gjera.
“Ne si familje jemi dakord që gjithçka që kërkohet për realizimin e këtij projekti të pajtohemi e shpresojmë që edhe banorët e tjerë do ta kenë një mirëkuptim të tillë. Me të vërtetë ka qenë një ngushticë këtu dhe tani e tutje fëmijët tanë do ta kenë më të lehtë qarkullimin” tha Ekrem Sylejmani banor i fshatit Rahovicë.
Udhëheqja komunale e Ferizajt është zotuar se në të gjitha pjesët ku konsiderohet se pronat paraqesin pengesa apo janë të uzurpuara do të punohet që të lirohen në mënyrën më të mirë. Kësisoj projektet do të realizohen me standardet moderne e të qëndrueshme./Ndertimi.info/