Aktuale
Rregullohet hapësira e jashtme e Qendrës Informative për Turizëm në Deçan
Komuna e Deçanit në bashkëpunim me OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, në kuadër të projektit për “Qytetarinë aktive”, ka nisur rregullimin e hapësirës së jashtme përreth Qendrës së Informimit për Turizëm në Deçan.
Arbresha Dema, menaxhere e projektit “Qytetaria aktive”, ka treguar se ky projekt është rezultat i iniciativës së përbashkët i kësaj organizate me Këshillin Lokal në Deçan dhe tashti ka nisur të realizohet në bashkëpunim me Komunën e Deçanit. Sipas saj, projekti ka një vlerë prej 5 mijë eurosh, prej të cilave 900 euro i ka dhënë OJQ “Syri i Vizionit” në kuadër të projektit “Qytetaria aktive” dhe pjesën tjetër të mjeteve e heq Komuna.
“Përreth qendrës nuk ka qenë e rregulluar infrastruktura dhe me këtë projekt kemi dashur që ajo qendër të jetë më e qasshme për qytetarët. Por qëllimi kryesor i projektit është që t’i fuqizojmë këshillat lokale dhe t’u ndihmojmë atyre që t’i adresojnë kërkesat tek institucionet dhe që ata pastaj t’i realizojnë ato”, është shprehur ajo. Objekti i Qendrës së Informimit për Turizëm ishte ndërtuar vitin e kaluar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian për turizmin rural dhe zhvillim ekonomik në zonat ndërkufitare Kosovë-Mali i Zi. Nga ana e Kosovës projekti është shtrirë në komunat: Deçan- Junik për zhvillimin e turizmit rural edhe në pjesët malore të këtyre dy komunave.



