Aktuale
Rregullimi i shtratit të lumit Istog i shpëton parandalon vërshimet
Shtrati i lumit Istog, në tërë gjatësinë e tij prej 5 mijë e 300 metrash, prej burimit në Istog e deri në derdhje në lumin Drini i Bardhë ndër Klinë, kurrë nuk është prekur nga kush që të rregullohet. Në shumë fshatra, nëpër të cilat gjarpëron ky lum, ka krijuar moçale mbi tokat pjellore, të cilat tash e sa vite janë të vërshuar nga ky lum, prej daljes së tij nga shtrati.
Në disa pesë të tij shtrati i lumit është zhdukur fare dhe është mbushur me verra. Për rregullimin e shtratit të këtij lumi në tërë gjatësinë e tij, Komuna e Klinës dhe Istogut kishin bërë në Qeveri kërkesën për financimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm për banorët e kësaj ane, sidomos të atyre fshatrave që kanë pësuar më së shumti nga devijimi i lumit.
Në muajin qershor ishte bërë e ditur se projekti “Rregullimi i shtratit të lumit Istog” do të financohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Përfituese të këtij projekti janë Komuna e Istogut dhe ajo e Klinës, territorin e të cilave përshkon lumi Istog. Meqenëse pjesa më e madhe e lumit shtrihet në territorin e Komunës së Klinës, siç tregon drejtori i Urbanizmit në Klinë, Lorenc Marleku, komunat janë pajtuar që komuna lider e projektit të jetë Komuna e Klinës, e cila është dashur ta bëjë hartimin, njëkohësisht i ka kryer edhe procedurat tenderuese.
Por të dyja komunat, sipas Marlekut, janë të obliguara që të raportojnë në ministri për rrjedhat e realizimit të projektit sipas dinamikës së punimeve e deri në përfundim të projektit.. Me këtë projekt në vlerë prej rreth 250 mijë eurosh, siç tregon drejtori i Urbanizmit, do të rregullohet komplet shtrati i lumit në gjatësinë e tij, deri në derdhjen në lumin Drini.