Aktuale
Rrëfimi se si ndodhi aksidenti në urën që po e ndërton “Bechtel&Enka” [video]

Përparim Sadiku është njëri nga punëtorët që javën e kaluar përjetoi aksidentin gjatë ndërtimit të urës në autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”. Derisa kishte rrëshqitur njëri nga trarët e kësaj ure, ai kishte mbetur i varur në “luncher”(vendosësi i trajeve të mëdhenj), 45 metra lartësi.
Shkruan: Kushtrim Hajzeri
Sadiku ka rrëfyer për Ndërtimi.info ngjarjen e asaj dite.
Ai, punon për kompaninë “Bechtel & Enka” si kryepunëtor për siguri të punëtorëve gjatë ndërtimit të urës më të madhe në Ballkan. E, këtë punë ishte duke e bërë edhe në momentin kur kishte ndodhur ngjarja.
“Unë isha duke e bërë instalimi e sajllave që i lidh punëtorët, që të punojnë të sigurt. Isha duke qëndruar mbi trar, trari i betonit që peshon 130 tonë”, tregoi ai.
Tutje ai tregoi se çfarë gabimi shkaktoi këtë aksident dhe se fal rripit të sigurisë kishte arritur të shpëtojë pa lëndime të mëdha.
“Një grup nga Turqia që vozit robotin kanë zgjidhur anën e trarit, e njëra anë ka qenë e lidhur dhe kanë dashtë ta ndrisin trarin. Si pasojë e atij gabimi pësuam edhe ne. Unë isha i ludhur në trar kur u bë lëvizja. Ndërrova lidhje dhe u vendosa tek roboti, që ngela i varur përafërsisht dy orë. E kam pas rripin e sigurisë të lidhur në trar, por fatmirësisht e kam ndërru e kam lidh në lanqer”, shtoi Sadiku.
Pasi kishte arritur ta menaxhoj situatën dhe qëndrimit në lartësi, kishin qenë dy persona që e kishin ndihmuar atë të zbres.
“Me kropë më kanë zbrit, një zjarrfikës dhe një punëtor turk. Kam qenë 45 metra lartë”, tregoi ai. Ndërtimi.info ka siguruar video të momentit kur është zbritu Sadiku nga lanqeri.
Mirëpo, pavarësisht ngjarjes, mjetet e sigurisë asnjë moment gjatë punës nuk kishin munguar.
“Mjetet e sigurisë i kemi pasë edhe i kemi përdorë”, tha tutje ai.
Por, nga e gjithë kjo ngjarje Sadiku shtoi se kishte marr lëndime të lehta.
“Po pak jam lënduar. Shpinën e kam lëndua pak dhe këmbët, prej rripave të sigurisë”, u shpreh ai.
Ngjarja të cilën e kishte përjetuar Përparim Sadiku ka ndodhur të premten e kaluar, ku të lënduar mbetën pesë punëtorët, të cilët pas tretmanit mjekësor janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë.
Shpëtimi i punëtorëve mund të shihet në këtë video:
