Aktuale
Rrëfimi nga fshati i harruar, që mori vëmendjen e gjithë Kosovës – Hadja [video]
Shkendije Ahmeti
Edhe pse e gjithë energjia elektrike varet nga nëntoka e saj, fshati dhe banorët e fshatit Hade janë lënë pas dore.
Në maje të këtij fshati gjendet lagjja “Mirenë”. Rruga e cila të shpien deri tek shtëpitë e tyre është vështirë e kalueshme, megjithatë nuk është vetëm ky problemi. Tash e sa kohë këtyre banorëve po iu kërcënohet shëndeti nga tymi i KEK-ut.
Sikur të mos mjaftonin vetëm këto, tani banorët e këtij fshati po përballen me marrjen e tokave të tyre nga KEK-u, në mënyrë që nga tokat e tyre të nxjerrët thëngjilli për krijimin energjisë elektrike.
E që kjo tani ka bërë që fshati i harruar dikur, këto dy javë të fundit të marr vëmendjen e Qeverisë madje edhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
Qeverinë dhe KEK-un si duket i ka kapluar paniku, pasi që në rast se nuk arrihet shpronësimi i tokave të lagjes “Mirenë”, Kosova rrezikon të mbetët në terr pasi që nuk mund të nxjerrët thëngjill nga këto toka.
Këto dy institucione po parashohin zhvendosjen e banorëve, por një gjë të tillë nuk po e pranojnë këta të fundit.
Ata kanë treguar për Ndërtimi.Info se nuk do lejojnë shpronësimin e tokave të tyre, sepse ato janë vlerësuar me çmim shumë të ulët, dhe se KEK-u dhe Qeveria nuk i kanë plotësuar kërkesat e tyre.
Madje banorëve nuk iu është bërë e ditur as lokacioni ku do të vendosen pasi t’i zhvendosin nga vendi i tyre.
Qenan Mirena, banor i kësaj lagje është shprehur për Ndërtimi.Info se Qeveria dhe KEK-u nuk i kanë respektuar kornizën e politika për zhvendosje për zonën fusha e Mihjes së Re.
“Ne kemi parashtruar kushtet që të respektohet korniza politike për zhvendosje pikë për pikë. Ne kemi kërkuar që të bëhet një kompensim i cili është sipas çmimit të tregut…KEKU e ka ofruar një çmim diskriminues për banorët ku nuk i mbulon as nevojat elementare ky çmim që ka ofruar. KEK ka ofruar një çmim për metër katror 105 euro deri në 210 euro”, tha Mirena.
Se banorët e tetë shtëpive të lagjes “Mirenë” po krijojnë kolapsin energjetik, Mirena thotë se edhe sikur të zhvendosen këto shtëpi përsëri nuk do zgjidhet problemi. Madje ai ka theksuar se KEK ka kaluar kufirin e sigurisë për këtë lagje.
“Por si pas gjendjes faktike në teren dhe jo vetëm me 8 shpi por edhe me banorët e Lagjes “Mirena” është kaluar kufiri i sigurisë. Ai kufi është mes lagjes së banorëve “Mirena” dhe KEK-ut ku është duke operuar ekskavatori është ndër 200 metra, kurse me këto tetë shpi është 100 metra, kjo është edhe gjendja…Ne nuk do të lëshojmë pe dhe nuk do zmbrapsmi asnjë hap, ne vetëm duam që të zbatohet korniza e politikës së zhvendosjes”, tha Mirena.
Deri sa mjekët bëjnë thirrje që gjatë mesditës të mos i ekspozohen diellit dhe temperaturave të larta, banorët e fshatit Hade si duket nuk e kanë këtë telash. Halli më i madh mbi kokë të tyre është që tokat e katragjysheve të tyre po shkojnë për pak para.
Qerim Preniqi, në mesditën e së mërkurës, në mes të pluhurit të zi dhe barit të rritur doli të vëzhgonte rrezikun e shembjes së shtëpive të tyre, që është hiq më larg se 100 metra larg nga vendi edhe ku qëndron ekskavatori më i madh për të nxjerrë thëngjill nga toka.
I njëmendi sikur bashkëvendësi i tij, Preniqi për Ndërtimi.Info është shprehur se nuk do të pranojnë të shpërngulen pa u plotësuar kushtet e tyre.
“Problemi ynë mes Qeverisë dhe KEK-ut është se këta nuk na i kanë plotësuar kushtet tona të cilat i kemi kërkuar, dhe ato janë kushte minimale. Kemi kërkuar punësimin, kemi kërkuar çmimin dhe lokacionin ku do të vendosemi. Kurse sa i përket punësimit nuk ka kanë ofruar kurrfarë kushte, e as për çmim dhe çmimet janë shumë të ulëta çka është e pabesueshme. Çmime shumë, shumë të ulëta dhe të pa pranueshme për neve…Kështu që ne nuk e pranojmë assesi të shpërngulemi pa na u plotësuar kushtet të cilat ne i kemi kërkuar, e që ato janë kushte minimale”, ka theksuar Preniqi.
Nga problemet që po shkakton KEK me tymin që po lëshon dhe me marrjen e tokave bujqësore, Rrustem Grajçevci, do të detyrohet të shesë bagëtitë meqë nuk ka toka ku të kullosin. Kjo do e vështirësoj edhe më shumë jetën e tij, pasi që siç tregon ai është i papunë.
“Mihja si Mihje neve na ka pru shumë ngushtë. Unë për vete kam pesë lopë por edhe ato jam detyruar me i heq për shkak se të gjitha tokat na i ka marrë. Nuk ka as kullosa. Jemi të papunë, shkolla jo, ambulantë jo, ujësjellës jo. Stresi ynë është ky”, tha Grajçevci.
Probleme nuk po kanë vetëm lagja e “Mirenëve”, me këtë problem po preken gjithë banorët e Hades. Muret e disa shtëpive në këtë fshat kanë filluar të krisen.
Kadri Mirena, ka rrëfyer se KEK i ka sjellë gjithmonë probleme Hades, por megjithatë ai thotë se tani punimet e KEK janë më afër shtëpive ku banojnë.
“KEKU gjithmonë na ka sjellë probleme, vetëm se tash është ofruar edhe më afër. Janë shkaktuar qarje të shumta. Ne po kërkojmë zhvendosje dhe kompensim se si është e paraparë sipas planit. Vlerësimi i tokave është edhe më keq se vitin e kaluar. Në 200 metra vijë ajrore na u kanë ofruar afër”, tregon Mirena.
Një situatë e tillë e krijuar dy javët e fundit, sjellë në mendjen e banorëve vitin 2004-të ku banorët e këtij fshati i larguan me polici. Madje, përfaqësuesi i fshatit, Ragip Grajcevci thotë se mund të përsëritet ngjarja e 2004-ës të largohen me dhunë nga shtëpitë e tyre.
“Sikur edhe më herët, në vitin 2004 janë larguar me polici nga ky fshat e si duket po vie radhë që prapë me ardh me forcë me i largu sepse nuk po iu përmbushen kërkesat minimale të këtyre banorëve… e nuk jemi në luftë, ne jemi në paqe dhe ata duhet të vijnë të merren vesh me ata banorë dhe me ua plotësu kërkesat, me iu kallxu ku kanë me i dërgu dhe me ua tregu çmimet. Kjo ka rëndësi. Asnjë familje, dhe as në Hade dhe në të gjitha këto zona të prekura që do të pranoj pa ua punësu nga një anëtar të familjes”, thekson Grajcevci.
Në anën tjetër kryeministri në largim Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme ka treguar se për këtë çështje kanë diskutuar me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, dhe drejtorin menaxhues të KEK-ut.
“Është mirë, edhe dje i kemi sugjeruar KEK-ut, që ata të ndërmarrin të gjitha masat gjatë kësaj periudhe deri më datën 10, të negociojnë me palët”, ka thënë Mustafa.
Për të gjetur një zgjidhje Komuna e Obiliqit ka kërkuar nga akterët përgjegjës që të formohet një Taske Forcë e cila do të merrej ekskluzivisht me gjetjen kësaj zgjidhje. Por një gjë e tillë ka hasur në vesh të shurdhër, kështu ka thënë, shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Obiliqit, Irfan Krasniqi.
KEK-u ka nënshkruar marrëveshje me dy familje të fshatit Shipitullë, për të nxjerrë thëngjill, për t’i ikur kolapsit, por jo për kohë të gjatë.
You must be logged in to post a comment Login