Aktuale
Rrëfimi i vëllait të punëtorit të ndërtimit, i cili vdiq dje pasi ra nga kati i tretë

Familja Berisha nga Vaslileva e Drenasit sot e varrosën djalin e tyre 30 vjeçar i cili e humbi jetën dje, pasi ra nga kati i tretë i një objekti, në të cilin po punonte për të siguruar bukën e gojës.
Pas ceremonisë së varrimit për Frontal ka folur vëllai i vogël i Valonit, Ramadani, i cili tha se po që se Valoni do të punësohej në shkollë, ai do ishte ende gjallë.
Sipas tij, organet shtetërore kanë faj në vdekjen e të vëllait.
“Fakultetin e ka pas të krym, e ka kry në 2012, po rrethanat politike, pushteti tu i marrë të vetit, njëherë ka apliku, e kanë marrë zëvendësim s’ma kanë marrë vëllain. Me pas kanë duke punu në shkollë, sot ai ish gjallë, nuk ish vdek. Ka apliku në shkollë në Drenas, në komunë të Drenasit, në fshatin tonë në Vasilevë ka shku në pushim mjekësor ajo mësuesja, një herë e kanë marrë, mandej se kanë marrë i kanë punësu personat e vet. Dihen pushtetarët që i kanë shti. Qe 7 vjet ka punu në ndërtimtari”, thotë Ramadan Berisha, vëllai më i vogël i Valonit.
Më tej, Ramadani tregon se Valoni ka punuar natë e ditë për t’i përfunduar studime master, pastaj në këtë mënyrë të gjente më lehtë një punë në profesionin që kishte studiuar.
“E ka regjistru fakultetin në AAB, të martën ka pas me shku me marrë matarialin edhe me kry krejt. Po fati deshti s’mujti me kry, u detyru se duhet me pas master, me sa e di unë, master për shkollë fillore. U desht me punu me i pagu studimet, punojke ditën në mbrëmje shkojke në fakultet. Dilke në mëngjes në 6 deri në 8-9 nuk vijke, shko punu, shko në ligjërata, tani shko në provime, kurrë pa u bo rahat”, ka thënë tutje Ramadani.
