Aktuale
Rojat e lumit nga ndërtimi i hidrocentraleve
“Uji është gjithçka për ne”, është shprehja që jua thonë dhjetëra banorë të fshatit brenda pak orësh. I madh e i vogël. Burra e gra. Shqiptarë e serbë. Gjithsecili është kthyer në rojtar vullnetar të shtratit të Lepencit që përshkon luginën poshtë shtëpive në fshatit Biti të Shtërpcës. U është bërë shprehi të tërheqin pakëz anash perdet e t’i bëjnë veshët katër se mos po vjen makineria e rëndë.
“Jemi ba si me trauma. Si të lëvizë diçka te lumi, krejt dalim”, thekson Rakip Rushiti. Dhjetëra banorë janë arrestuar disa herë në protesta. Në mesin e tyre edhe vajza. Ndaj bitiasve është përdorur edhe gazi lotsjellës, edhe pse në protesta kishte nëna, që me vete kishin edhe fëmijë shtatëmuajsh. Dhjetëra banorë kanë kërkuar ndihmë në urgjencën e ambulancës së Shtërpcës. Njësitet Speciale kanë bastisur shtatë familje – gjashtë shqiptare e një serbe – me pretendimin se po kërkonin armë, shkruan Koha Ditore.
Agron Rushiti është njëri prej banorëve më aktiv në organizimin e protestave. Ai dhe bashkëfshatarët nuk kanë lënë institucione lokale e qendrore, por edhe ambasada perëndimore, pa dorëzuar peticione e ankesa. Deri tani, asgjë s’ka bërë punë. Kauza për lumin ua ka prishur edhe festat. Rushiti me shokë po festonte ditëlindjen pasdreken e 16 gushtit në një restorant në afërsi, kur nëna i kërkoi të kthehej urgjentisht në shtëpi. Ishte hera e katërt që po i bastisej shtëpia.
“Ish ba zi prej Njësisë Speciale që po ma bastiste shtëpinë me pretendimin se kam armë”, kujton Rushiti, teksa ecën rrugës ndanë lumit e afër fushës së rrethuar të futbollit dhe basketbollit. Disa djem e vajza po luajnë futboll nën gurgullimën e Lepencit të rrëmbyeshëm. “M’i kanë tranu fëmijët. Bile, çika e kish pas shkru një letër ‘Urime babë ditëlindja’, e polici ia mori se kushedi çka mendonte se kish në të”, shton ai. “Trishtim më të madh nuk kam pasur”