Aktuale
Rodiqi: As 10% e ndërtuesve nuk e marrin parasysh menaxhimin e ndërtimit
Uran Haxha dhe Toska Gjikolli
Ilir Rodiqi është profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Ai është ndër të paktët që flet për menaxhimin e ndërtimit, si degë studimi dhe pune. Madje sipas tij, në Kosovë menaxhimi i ndërtimit ka hise në kompani më pak se 10% dhe është problem i cili nuk është hapur më parë sa duhet.
Ilir Rodiqi ka një përvojë mbi 20 vjeçare në menaxhimin e ndërtimit, teksa një kohë të gjatë ka punuar me projekte ndërkombëtare. Ai punon nga viti 1998 në Universitetin e Prishtinës si ligjërues, pas tetë vjetësh që kishte punuar si asistent. Ka një numër të madh punimesh kërkimore.
As aspekti ligjor nuk përcjell këtë angazhim për menaxhim të ndërtimit. Rodiqi në një intervistë për Ndërtimi.info ka shtruar gjerë e gjatë problemin që rrjedh nga mosangazhimi i menaxherëve të ndërtimit në vendin tonë.
Më poshtë mund të lexoni pjesën e parë të intervistës.
Sa është i rëndësishëm menaxhimi i ndërtimit në Kosovë , dhe sa e respektojnë si sektor në ndërtim?
Nëse flasim konkretisht për menaxhimin e ndërtimit në Kosovë, ta shikosh me përqindje ndoshta as 10% nuk merret parasysh menaxhmenti i ndërtimit në punët ndërtimore dhe për këtë ka shumë arsye. Njëra prej tyre është se menaxhimi i ndërtimit, në Kosovë nuk ka qenë si lëmi e zhvilluar në kohën ish-socialiste, në aspektin teorik. E dyta kur ka filluar një angazhim më i madh i fakultetit në aspektin teorik të menaxhimit, atëherë rregullativa nuk e ka përcjell kërkesën të cilën e ka dhe duhet ta ketë industria e ndërtimit për një disiplinë dhe rregull në punë. Për shkak të implementimit të dobët të rregullativës, gjegjësisht për shkak të obligimeve të vogla që i kanë punëkryerësit dhe për shkak të çmimit të ulët, atëherë vjen deri te ajo që menaxhimit nuk i jepet rëndësi, për shkak se ai është apo kosto shtesë, të cilën nëse nuk e ki obligim që të aplikosh, atëherë edhe nuk e aplikon.
Në njëfarë forme kjo ka mbet kryesisht në vullnetin e ndërtuesve, nëse dëshirojnë ta kenë një menaxher të ndërtimi ose jo?
Kjo ka mbetur kryesisht në vullnetin e ndërtuesve dhe pjesërisht në vullnetin e investitorëve dhe deri diku ka filluar me disa komuna të cilat janë të vetëdijshme, se duhet me sjell pak rend në këtë drejtim. Do të thotë ka filluar diçka, por që nuk është e mjaftueshme.
Kur kanë filluar kompanitë e ndërtimit të vetëdijesohen që duhet të bëhet një plan i menaxhimit të ndërtimit, sepse kostot e humbjes kanë qenë më të mëdha se kostot e planifikimit?
Problemi është që kemi të bëjmë me individë, d.m.th. nëse individët janë të vetëdijshëm ose e shohin të arsyeshme ta bëjnë menaxhimin e ndërtimit në një nivel ma të lartë e bëjnë. Edhepse ashtu si duhet të punohet Menaxhimi i Ndërtimit në Kosovë nuk bëhet, ose shume rrallë bëhet. Edhe kur bëhet, nuk është në mënyrë të integruar në sistem. Ndërtimtaria funksion në atë mënyrë që menaxhimi i ndërtimit është pjesë përbërëse funksionale, pjesë përbërëse e detyruar, e obligueshme dhe pjesë përbërëse e kërkuar.
Cili është roli i menaxherit të ndërtimit? Cilat janë punët e tij dhe përgjegjësia e tij?
Te menaxhimi i ndërtimit, zakonisht janë tri nivele, ku është pak vështirë ta shpjegosh gjithë konceptin sepse është pak më i komplikuar për shkak se ka shumë pjesëmarrës. Te menaxhimi i projektit me rëndësi është menaxhimi i projektit si ”project management“ ose si menaxhim projektesh dhe menaxhimi i punishtes në nivelin e punishtes, që nuk është një lloj i pastër i menaxhimit të projekteve, por është një kombinim i menaxhimit të projekteve dhe menaxhimit operativ, në të cilin gërshetohet angazhimi i teknologjisë dhe i projekteve. Ekziston teoria e cila e studion menaxhimin e projekteve në tërësi dhe mund të aplikohet në të gjitha fushat. Pastaj ekziston aplikimi i kësaj teorie në ndërtimtari dhe ky është një nivel më i lartë i menaxhimit të projektit, në të cilin menaxheri i projektit merret më shumë me çështjen e koordinimit të punëve, me investitorin, me kryerësin e punës, me mbikëqyrësin dhe me dinamikën e punës në përgjithësi. Kurse menaxhimi në ndërtim të punishtes më shumë merret me operativë dhe realizimin e punëve drejtpërdrejtë në punishte. Niveli i tretë është niveli i menaxhimit të ndërmarrjes ndërtimore.
A vërehen mungesa e menaxherit të ndërtimit në dukje të parë të një vendpunimi, në syrin tuaj si profesor?
Këtë e kam “deformim profesional – Vrojtimi im sa i përket menaxhimit të ndërtimit është jashtëzakonisht i mbrehtë. Sot si model në menaxhimin e ndërtimit është ndërtimi i Ambasadës Amerikane, ku kemi nivel të lartë të menaxhimit. Punishtet tona nuk kanë gardh, ndërsa kohëve të fundit me vetëdijesimin që e përmendem më parë, kanë filluar që t’i rrethojnë punishtet me gardh. Një vrojtim që është shumë i rëndësishëm është se disa firma kanë avancuar tek mbrojtja në punë dhe pajisjet të cilat po i përdorin punëtorët. Deri para disa vjetëve punëtorët pothuajse nuk kanë pasur mbrojtje ne punë, as veshje, as helmeta e as këpucë. Sot gjendja nuk është e kënaqshme, por kemi iniciativa prej firmave që kanë tesha, helmeta e këpucë së paku në nivel të nevojshëm për kujdes. Mirëpo kemi shumë firma në të cilët punëtorët punojnë me patika e pa kurrfarë mbrojtje. Në përgjithësi i vërej shumë këto mangësi dhe niveli nuk është i kënaqshëm, e sidomos në mbrojtje të gropave kur punohet ku nuk ka kujdes. Në punishte, në përgjithësi nuk ka organizim të punës, ku për shembull fillohet me punishte pa e pasur një zyre ose një rrugë me infrastrukturë përcjellëse, që janë defekte që vërehen. Sidoqoftë ka firma që në këtë drejtim kanë avancuar shumë .
Edhe inspekcioni duhet me qenë shumë strikt, jo vetëm në kërkesa teknike. Janë kërkesat teknike sa i përket konstruksionit, rregullave dhe ligjeve e kodeve të ndërtimit, sa i përket mënyrës se si ndërtohet objekti. Në aspektin teknik për shembull në Prishtinë inspektorati kërkon një rregull sipas ligjit me kërkesa specifike sa i përket rregullimit të punishtes, mirëpo këto kërkesa duhet të avancohen. Prishtina ka avancuar më tepër në krahasim me komunat tjera, ku nuk kërkohet pothuajse asgjë.
Vazhdon nesër…
You must be logged in to post a comment Login