Aktuale
Rinovimi i Bibliotekës Kombëtare mbetet i papërfunduar deri në pranverë
Skelet dhe grumbuj zalli të shpërndarë aty-këtu qëndrojnë ende në njërën anë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Institucioni që ka një fond prej 2 milionë njësish bibliotekare nuk arriti që t’i ketë të përfunduar kulmin dhe atikën para dimrit. Në fund të tetorit, Ministria e Kulturës kishte shpallur edhe kontratën e dytë për punime shtesë sa i përket hidroizolimit të BKK-së.
Megjithatë, pa u bërë as një javë, teksa punimet po vazhdonin, gazeta pati raportuar se reshjet e shiut sërish kishin rrezikuar sallën e leximit. E me rënien e temperaturave në fund të nëntorit punimet janë ndërprerë. Për drejtorin e BKK-së, Fazli Gajraku, punimet do të duhej të kishin përfunduar para stinës së dimrit. Ka shpjeguar se vonesa e dhënies së lejes ka bërë që gjithçka të shtyhet.
“Këta duhej t’i përfundonin punimet para stinës së dimrit, por ka pasur vonesa në procedurat e dhënies së lejes nga Komuna e Prishtinës. Kjo ka bërë që të hynin në afate tepër të ngushta për realizimin e punimeve”, ka thënë Gajraku.
Sipas kreut të BKK-së, gjatë kësaj kohe është zhveshur kulmi i rrafshët për shkak të dëmeve nga shirat. “Ata i kanë ndërmarrë disa veprime që ta stabilizojnë situatën deri në rifillimin e punimeve në pranverë”, ka shtuar Gajraku. “Problemet me ujë janë ndalë, ka pasur dy herë reshje me shi, por nuk ka pasur rrjedhje brenda hapësirës së Bibliotekës”.




