Aktuale
Rindërtohet rruga e ‘Oxhakut’
Kanë përfunduar punimet për rindërtimin e rrugës “Imer Ndregjoni” në Tiranë, investim ky që u vjen në ndihmë 10 mijë banorëve të zonës së Oxhakut në kryeqytet. Rruga e re, me infrastrukturë nëntokësore, ndriçim dhe gjelbërim u përurua nga i pari i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se përveç përfundimit të problematikës, ky investim sjell dhe rritje të vlerës së pronës dhe bizneseve në zonë.
“Kjo ka qenë një rrugë famëkeqe e Tiranës, rruga e Oxhakut, ku dikush mendohej mirë kur kalonte në verë nga pluhuri dhe nga balta në dimër, kurse sot është një situatë krejt tjetër. Jo vetëm rruga me cilësi më të mirë, por edhe vende të reja të parkimit, hapësira të gjelbra, rregullim fasadash. Kemi një rritje të vlerës së biznesit sepse ka më shumë frekuentim, mjedisi është më i këndshëm. Jemi duke menduar edhe për të vendosur një treg apo një kënd lodrash, ose shtojca të tjera që mund t’i bëhen projektit, për ta bërë rrugën akoma më të mirë.
Veliaj shtoi se ky është vetëm një nga investimet e rëndësishme që bëhen në këtë zonë, pasi paralelisht po punohet edhe në rikonstruksionin e plotë të rrugës së “Dibrës”.
“Është një rrugë që lidh dy njësi, 3 me 4, dhe besoj që me ndërhyrjen që do të bëjmë edhe në Rr. e “Dibrës” ku do të tërhiqet edhe muri i Shkollës së Bashkuar për ta bërë më funksional gjithë atë trotuar, pra pa hipur e zbritur disa herë shkallët, që të jetë i aksesueshëm nga të moshuarit, nga ata me aftësi të kufizuar, besoj që e gjithë lagjja konturohet”, u shpreh Veliaj.
Rruga “Imer Ndregjoni” ndodhet në territorin administrativ të Njësisë Nr. 4 dhe shërben si një aks lidhës me Njësinë nr. 3. Në këtë rrugë është punuar në lirimin e hapësirave të zëna, ndërtimin e trotuareve, ndërtimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve, asfaltim, ndriçim, si dhe pajisjen me të gjithë sinjalistikën e nevojshme.