Aktuale
Rezidenca e dikurshme e Begut

Kushedi sa e sa mysafirë mund të kenë kaluar nëpër kullën e veprimtarit e patriotit Zenel Beu në Pejë, derisa ajo shfrytëzohej për banim. E nuk kanë të numëruar as sot mysafirët që në kullën që tash është kthyer në njërin prej restoranteve më atraktive të qytetit perëndimor të Kosovës shkojnë për të ngrënë e për të pirë.
Në lagjen që njihet si “Pelivan Mejdani”, në pjesën qendrore të qytetit, ndodhet kulla me tri etazhe, e ndërtuar në shekullin XIX, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në histori ajo njihet si “Rezidenca e Begut”. Por në ditët e sotme famën më së shumti ia japin restoranti e kuzhina tradicionale, aq sa kërkimet në internet për këtë monument fillimisht rendisin faqet që promovojnë funksionin e ri të cilin e ka marrë. Ambient i këndshëm e i ngrohtë me meny tradicionale shqiptare është përshtatja që i është bërë historisë që e bart me vete ky objekt.
U dogj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1998/99, por u ndërtua në pjesët e dëmtuara ashtu siç ka qenë atëherë kur Beu i Begollëve dha urdhër për ndërtimin e saj.
Ringritja pas 1999-s
Vitin 1854 e ruan Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore si kohën në të cilën u ndërtua kulla. E trajton si kullë monumentale shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit atë që njihet edhe si “Rezidenca e Begut” e “Kulla e Zenel Beut”.
“Meqë ishte banesë e fortifikuar, pos vlerës së mirëfilltë si objekt banimi, kulla trikateshe (sipas njehsimit popullor) kishte edhe karakter mbrojtës”, thuhet në historikun që ky institucion shtetëror e ka përpiluar.
