Trashëgimia
Revitalizimi i Urës së Terezive në Gjakovë drejt përfundimit
Punimet në rijetësimin e Urës së Terezive janë pothuajse në përfundim, kështu është njoftuar nga Komuna e Gjakovës.
Ajo ka njoftuar se Drejtoria për Zhvillim Ekonomik është duke punuar në mënyrë intensive për të kthyer atë në një pjesë të rëndësishme të qytetit të Gajkovës.
“Punimet për revitalizimin e urës së Terezive janë drejt finalizimit.
Komuna e Gjakovës, konkretisht Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, po punon në mënyrë intensive për ndriçimin e urës, ndërtimin e shtigjeve për ecje dhe gjelbërimin e ambientit përreth.
Mirëmbajtja dhe investimi në objekte të trashëgimisë kulturore, është një nga prioritetet tona!”, shkruhet në njoftimin e komunës.
Rivitalizimi është një kontribut i përbashkët i Komunës së Gjakovës, Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.
Ura e Terzive është një monument i trashëgimisë kulturore i vendosur në afërsi të fshatit Bishtazhin afër Gjakovës në Kosovë. Ajo është një shembull shumë i rëndësishëm i ndërtimit të urave Osmane në Kosovë. Ura është ndërtuar mbi lumin Erenik, ndoshta në fund të shekullit 15-të, dhe ishte ndryshuar në shekullin e 18-të. Riparime dhe rindërtime të mëdha të pamjes së saj origjinale u bën nga viti 1982 deri më 1984.