Ndërsa më shumë se 90 për qind e energjisë së Shqipërisë prodhohet nga lumenjtë dhe një central elektrik i ndërtuar rishtazi nuk është vënë ende në punë, qeveria socialiste nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, synon të instalojë një kapacitet prej 120 megavatë energji diellore dhe 70 MW energji të erës deri në 2020.
Shqipëria ka bërë thirrje për oferta për të ndërtuar centralin e parë të energjisë diellore në bregdetin e Adriatikut, duke u premtuar investitorëve se do të favorizojë këdo që angazhohet për rritjen e kapaciteteve dhe shitjen e energjisë me çmim më të ulët për shpërndarësin e saj, shprehen zyrtarët të premten.
Shqipëria parashikon një investim prej rreth 70 milionë euro.
Sipas rregullave të tenderit me të cilat u njoh “Reuters”, çdo kompani që përmbush kriteret teknike dhe financiare do të përfitojë 70 pikë.
30 pikat e mbetura, të cilat me shumë gjasa do të përcaktojnë rezultatin, do t’i jepen kompanisë e cila pranon të shesë me çmim më të lirë tek monopoli i shpërndarësit të energjisë OSSHE, duke siguruar një blerës të garantuar për gjysmën e parë të marrëveshjes 30-vjeçare me të drejtë rishikimi.
Po ashtu, do t’u jepen pikë cilitdo ofertues që angazhohet t’i shtojë 20-50 MW kapacitetit fillestar 50 MW të paneleve fotovoltaike. Energjia nga kapaciteti shtesë do të shitet me një çmim më të lire.
Tokat e kripura në Akernia pranë portit e Vlorës në pjesën e Adriatikut janë zgjedhur për vendndodhjen e uzinës, sepse ato kanë potencialin më të lartë për të garantuar efikasitetin e energjisë diellore. Prodhimi potencial i energjisë diellore vlerësohet në më shumë se 1.600 kilovat orë për metër katror.
Ministria e Energjisë ka shprehur gatishmërinë për të marrë pyetje deri në datën 24 gusht dhe për të takuar një ekip prej tre palësh që kanë shprehur interesin në ambientet e saj më 27 gusht duke u ofruar atyre një vizitë në këtë shesh. Do t’u përgjigjet pyetjeve të tyre deri në fund të gushtit.