Ndërtim
Restaurohet kisha e Shën Joan Vladimirit
Kisha e Shën Joan Vladimirit e manastirit po me të njëjtin emër, në perëndim të qytetit të Elbasanit, i është nënshtruar një restaurimi të pjesshëm.
Në një postim në rrjetin social “Facebook” të Metropolisë së shenjtë të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit bëhet e ditur të hënën se “kjo kishë restauruar vite më parë, këto dy vitet e fundit kishte filluar të shfaqte problematika të funksionimit te çatisë. Si pasojë e dëmtimit të tjegullave të vjetra të qeramikës dhe të shtresës izoluese nën të”.
Në çati dhe në tavanin dekorativ të kishës u shfaqen në disa vende shenja të lagështisë. Kontrolli i përhershëm i priftit të kishës At Irineut dhe kujdesit të Hirësi Andonit Mitropolitit i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, të cilët në koordinim me Bërthamën e Trashëgimisë Kulturore pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i kërkuan Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit, mundësinë e gjetjes së financimit të punimeve emergjente restauruese.
Pas miratimit të së drejtës për kryerjen e këtyre punimeve në I.M.K., Kryepiskopi Anastas, i cili gjithmonë i ka kushtuar dhe i kushton rëndësi të veçantë Trashëgimisë Kulturore, akordoi fondin 1 998 084 lekë të reja të kërkuar për këtë qëllim, shkruan “ata”.
Punimet po kryhen nga një kompani e liçencuar restaurimi dhe drejtohen nga Bërthama e Trashëgimisë Kulturore pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Më pas do të bëhet përzgjedhja e tjegullave të mira dhe pastrimi dhe sistemimi i tyre. Hidroizolimi i çatisë do të bëhet me dy shtresa letër katrama. Shtrimi i poshtëm i tjegullave do të bëhet me tjegulla të reja dhe sipër vendosen me llaç, tjegullat e pastruara të vjetra dhe të përzgjedhura.
Në një fazë tjetër do të bëhet i mundur rindërtimi i këmbanores, si dhe rregullime të tjera ne ambientet e këtij manastiri kaq shumë te njohur, jo vetëm brenda vendit, por edhe ne rajonin e Ballkanit.