Aktuale
Reshitaj: Deri vitin e ardhshëm do pastrohen shumica e deponive ilegale
Në ditën e tretë të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm, sot u mbajt konferenca e tretë, me temë “Pastrimi i Kosovës: Sfidat në sektorin e mbeturinave”, në të cilën u bë edhe shpërblimi i fituesve të garës për mjedis të pastër.
Në fjalën e saj para të pranishmëve ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, prezantoi veprimet e saj në fushën e menaxhimit të integruar të mbeturinave duke u nisur nga krijimi i strategjisë për menaxhimin e mbeturinave, krijimin e komitetit drejtues për sektorin e menaxhimit të mbeturinave, plotësim ndryshimin e udhëzimit administrativ për gjoba mandatorë, për të pasur zbatim të këtij udhëzimi i cili parasheh gjoba për të gjithë ndotësit në vend.
“Me një vullnet të mirë të të gjithë neve ju siguroj që shumica e deponive ilegale do të pastrohen deri vitin e ardhshëm, duke u angazhuar bashkë me komunat që krahas kësaj të kemi mbulim të plotë në të gjithë territorin e vendit me shërbime si dhe në mënyrë të qëndrueshme do të rrisim shkallen e riciklimit të mbeturinave ne Kosovë” deklaroi Reshitaj.
“Rruga për pastrimin e Kosovës ka filluar, tani do të vazhdojmë me 5 qershor në ditën ndërkombëtare të mjedisit me aktivitete pastrimi në tërë Republikën e Kosovës, për të vazhduar kështu edhe gjatë muajve të ardhshëm deri në pastrimin e të gjitha deponive ilegale në Kosovë”, përfundoi ajo.



