Aktuale
Reportazh: Xhamia më e bukur në Kosovë, që të mahnitë përbrenda

Mund të konsiderohet një nga rrënjët e lashtësisë së Prishtinës. Është e ngritur, me pamje të fuqishme skaj rrugës, që kalimtarëve t’u vjedh shikimin. Qindra besimtarë çdo ditë hyjnë aty për të gjetur qetësinë shpirtërore, por edhe sytë gjejnë kënaqësi që diku tjetër nuk mund ta kenë as iluzion.
Shkruan: Kushtrim Hajzeri
Xhamia e Jashar Pashës në Prishtinë është e vendosur në Prishtinën e Vjetër, teksa në të dy anët sikur i bëjnë roje dy xhamitë fqinje, Xhamia e Madhe dhe ajo e Çarshisë.
Duket e thjeshtë nga jashtë. E ngjashme me xhamitë tjera. Gurët e formësuar në xhami, e ruajtën krijimin që i dhanë formë shekuj më parë. Kur i shetit sytë, aty del nga gurët e vjetër, tek të rinjtë, e përsëri tek të vjetrit. Hiret e vjetra shihen edhe në bazat e shtyllave të hajatit, ku disa janë të vjetra e disa të reja.
U ndërtua mes viteve 1834 – 1835 nga prishtinasi i pasur dhe i njohur i kohës Jashar Pasha, që ishte guvernator i Shkupit. Këtë e kishte ndërtuar për nezër të djalit të tij.
Guri dominon si material. Ai është marrë i pastër nga natyra e Kosovës. Dritaret në formë harku e disa të rrumbullakëta janë element i rëndësishëm hijeshinë e kësaj xhamie. Kanë edhe përmbajtje të veçantë. Disa prej tyre kanë disa rrathë, që ndryshe njihen edhe si “syri i elefantit”.
Ditaret kanë përmbi kanxhella me forma tërheqëse për syrin e atyre që kalojnë aty pranë.
Minarja, si e çdo xhamie tjetër, nuk ka si të mos bie në sy. Këtu gurët janë lidhur fort me njëri-tjetrin për të mbajtur minaren 30 metërshe të gjatë. Derisa në një kënd të vogël e të thjeshtë merret abdes, besimtarët ngjesin shkallët e gurit për të hyrë në hajatin nga druri.
“Sa i përket strukturës ndërtimore, ndryshime ka vetëm në hajat. Hajati është i tipit të mbyllur. Është shndërruar në vitin 1990-91 në tip të hapur dhe tash në vitin 2014 është kthyer në tip të mbyllur. Minarja është njësoj, kubeja është njësoj”, tregoi arkitekti i BIK-ut, Sami Isufi për Ndërtimi.info.
Thjeshtësia e jashtme fsheh përbrenda një oazë detajesh që lartësojnë bukurinë e artit islam.
Lashtësia e xhamisë , me sipërfaqe mbi 200 metra katrorë, është e vulosur që në hyrje. Sipër derës së sallës së xhamisë zë vend vula e Sulltan Mahmutit të Dytë, për të vërtetur periudhën e ndërtimit. U konsiderua xhevahiri i kohës, por epitetin nuk po e lëshon. Në epigrafin e objektit, në gjuhën osmanishte iu dha ky epitet. Aty tregohet edhe arsyeja që Prishtinës ua dha ky objekt.
Çdo cep ka diçka unike, por në tërësi si objekt e veçon një gjë.
“Sa i përket elementeve të barkut osman, është e vetmja xhami që i ka të shprehura kësi soji, ndonëse baroku osman haset edhe në xhaminë e Sylejman Agës në Gjakovë, diçka – diçka edhe te Xhamia e Sulltan Muratit. Por, assesi në këtë bllok sikurse të Xhamia e Jashar Pashës, Kjo jo edhe rastësisht, pasi Jashar pasha ishte i pasur për kohën dhe deshti që të bëj diçka më shumë se sa xhamitë përreth”, shtoi ai.
Muret dhe kupola janë të mbushura me dekorime të artit islam me elemente florale dhe gjeometrike. Lulet marrin pjesën më të madhe të detajeve. Kjo sikur për të mbajtur gjallërinë e freskinë gjatë çdo stine të vitit. Por, jo krejt rastësisht. Është e lidhur direkt me rregullin islam që nuk lejon vizatimin e qenieve të gjalla.
Në qendër të sallës së faljes gjendet një abazhur gjigand, i varur në pikën kulmore të kupolës, që është rreth 12 metra në distancë nga dyshemeja.
Enterieri ka katër pjesë të pashmangshme të xhamisë: mimberin, mihrabin, kursinë dhe mafilin.
“Këto katër elemente për nga dekori vlen të theksohet mafili. Por, mimberi, që mbahet hutbja, është klasiko-osman me të gjitha elementet. Mihrabi, po ashtu njësoj, ndonëse ka disa korniza që janë shtruar me llaq në vitin 1834. Rroshi, përmbi mihrabin është element i rëndomtë tipin e tillë të xhamive. Kursi, ndonëse më modeste, i cila shërben për mbajtjen e derseve jashtë xhumasë. Mafili është i punuar i tëri nga druri. Për nga profili, druri është i gdhendur bukur, në veçanti frizi i mafilit” theksoi tutje.
Përkushtimi në punimin e mafilit, i njohur si pjesa për femra, vërehet qartë. Punime dore të mahnitshme e ngjyra që pushojnë sytë. Përballë saj qëndron mimberi. Është pak më rëndësishëm për një arsye. Në të për herë të parë në Prishtinë u mbajt ligjërata e të premtes në gjuhën shqipe, rreth vitit 1930. E, që nga ajo kohë ligjëratat vazhduan në gjuhën shqipe për të mos u ndalur kurrë.
Ndërsa, mihrabi, ku hoxha prinë ritet, ka të gdhendur gurët që kanë formuar dekorimet e tij. Aty janë ruajtur edhe katër shtresimet e xhamisë, që tregon periudhën e ndërtimit dhe tri restaurimet. Kjo të shtynë të mendosh se vjetërsia e xhamisë mund të shikohet sikur vjetërsia e një truri shekullor, që i shihen rrathët në brendësi të trungut.
Ambienti i kësaj xhamie të fundshekullit XV dhe fillim-shekullit XV, u ndikon besimtarëve edhe gjatë kryerjes së riteve fetare.
“Është njëra nga xhamitë më të bukura, ndoshta më e bukura që jam fal ndonjëherë këtu. Ngrohtësinë që e ndjej këtu është më e veçantë, për arsye se është një ambient më i ngushtë se sa i xhamive të zakonshme, që janë me hapësira më të mëdha. Këtu e ndjej vetën në një hapësirë që është e mbushur me dashni dhe paqe”, tha praktikuesi i riteve fetare në këtë xhami, Erzon Hyseni.
Por, për t’i rezistuar kohës nevoja kërkoi që xhamia në stilin e barokut osman, të restaurohet tre herë.
“I nënshtrohet restaurimit të parë, më 1976 – 79. Në këtë vit rinovohet dhe restaurohet kubeja dhe minarja, sikurse edhe pikturat murale, për të vazhduar me gjendjen e njëjtë deri në vitin 1990 – 91. Në vitin 1991 hajati rrënohet i tëri, që është i njëjtë deri në vitin 2014. Deri në vitin 1990 hajati ka qenë i tipit të mbyllur sikurse është tash. Restaurimi i fundit është ardh si rezultat i një bashkëpunimi mes Qeverisë së Kosovës, qeverisë së Turqisë dhe BIK-ut, memorandum që është nënshkruar në vitin 2011. Punimet kanë filluar në vitin 2014, me donacion të Qeverisë së Turqisë, i koordinuar nga Agjencia Qeveritare Turke dhe punimet i ka realizuar një kompani turke nga Stambolli”, shtoi arkitekti, Sami Isufi.
Derisa, bënë pjesë në mesin e 23 xhamive që ka Prishtina, xhamia e Jashar Pashës është një nga 18 xhamitë e periudhës osmane, një pjesë e të cilave tashmë janë restauruar. I gjithë restaurimi i vitit 2014 – 2016 kap shifrën rreth 700 mijë euro. E, duke qenë se restaurimi u bë nga TiKa, të gjitha procedurat e tenderimit janë realizuar në Turqi.
Restaurimi më së mirë shihet në pjesën e jashtme të xhamisë. Por, gjurmët burimore janë ruajtur dukshëm.
E, kjo xhami si duket do të qëndrojë gjatë aty për të pritur besimtarë pafund, kalimtarë që shfrytëzojnë pushimoret në oborrin e saj, e Prishtinë t’i shtojë madhështinë e një kryeqyteti të lashtë. /Ndërtimi.info/
