Aktuale
Reportazh: Katedralja “Nënë Terezë” që kushtoi 8 milionë euro, ka nevojë ende për investim [video]

E vendosur në qendër të Prishtinës. E lartë dhe madhërishme, për të qenë ndër simbolet e kryeqytetit të një shteti të vogël. Katedralja “Nënë Terezë” që nga viti 2005 ka marrë vëmendjen e qytetarëve me apo dëshirë.
Shkruan: Kushtrim Hajzeri
Që të bëhej e tillë puna filloi në vitin 2005, për t’u ndërprerë deri në vitin 2007. Por, pastaj u bë punë efektive plotë një dekadë që sot të jetë objekti i kultit fetar më i madhi në Kosovë.
Çdo pjesë e saj ka një mesazh. Detajet janë të shumta e të veçanta. Gjithçka përmbledhë një periudhë shekullore të historisë së krishterimit shqiptar.
Rreth 80 metra gjatësi dhe mbi 40 metra gjerësi, bënë që kjo katedrale të jetë ndër më të mëdhatë në Ballkan. Që Prishtina t’i dhurojë Ballkanit këtë objekt të tillë, rol kyç pat edhe ish-presidenti, tani i ndjerë, Ibrahim Rugova. Për këtë, ai së bashku me figura të rëndësishme të historisë së krishterimit 2 mijë vjeçar, bëjnë pjesë në mozaikët e vendosur në xhamat e katedrales. Këta mozaikë po konsiderohen e veçanta e kësaj katedrales, bashkë me detaje tjera që kanë porosi unike.
Shumë vizitorë janë ulur e vazhdojnë të ulen në bankat e katedrales, por pak e hiç dinë mesazhin që ka dizajni i tyre. Një shqiponjë përfaqëson shqiptarinë, ndërsa krahas saj në formë të shtrirë gjenden inicialet e Nënë Terezës.
E, gjatë stinës së verës këtë katedrale e vizitojnë 500 deri 1500 njerëz në ditë.
Derisa, gjithçka duket e bukur e madhështore, punë ka ende aty.
“Janë dy çështje të rëndësishme që nuk kanë përfunduar ende. Ndërtimi i komunarës së dytë dhe rregullimi i ambientit rreth katedrales, sepse është kontesti gjyqësor me Komunën e Prishtinës. Shpresojmë që gjyqi e ka dhënë vendimin e vetë që së shpejti edhe ajo të rregullohet dhe ta ndërtojmë një ambient të bukur, një oazë gjelbërimi, ku qytetarët të rrinë, të takohen e shëtisin. Të jetë jo vetëm pikë orientimi të Prishtinës, por edhe mushkëritë e qytetit të shijojnë anën e krijimtarisë dhe ndërtimtarisë dhe anën e bukurive natyror”, tha Don Lush Gjergji.
E, kur do të krihet karshi komunares ekzistuese ajo e projektuar ende nuk dihet. Kjo pasi punët kërkojnë mjete, e ato ende nuk janë të grumbulluara.
Derisa, mjetet për komunaren mungojnë, në këtë objekt është derdhur një mal me para. Rreth 8 milionë euro janë investuar deri tani, 3 milionë vetëm nga diaspora në Amerikë.
“Përafërsisht deri tani janë investuar rreth 8 milionë euro. Më e rëndësishmja është se afër 80% është kontribut i shqiptarëve, pa dallim feje, shtetit e pjese ku ata jetojnë. Ne nuk kemi dashur që investimi apo ndërtimi të jetë institucional, në kuptimin e vendeve, shteteve e institucioneve. Si institucion kisha në nevojë në Gjermani, kanë investuar dhe Renova Vis, ka investuar në rregullimin e ambientit, përdheses apo qendrës ‘Bjetër Bogdani’. Ne i kemi kombinuar njerëzit e vullnetit të mirë, institucionet dhe aty-këtu ndonjë institucion tjetër. Kjo është një garë mirësie dhe dashurie dhe fryti shihet, kushdo që vjen e admiron bukurinë”, shtoi ai.
Të gjithë këta kanë ndihmuar që materiali të blihet kryesisht nga Italia, Greqia e Turqia, ndërsa punimet të bëhen nga vendorët.
“Punimet janë bërë nga vendorët, firmave të ndryshme dhe ka pasur organizata ndërtimore, ku është këtu kanë garuar njerëzit si në blerjen e materialit, në punën me dorë, në realizimin fazave të ndryshme të ndërtimit, njerëzit e kanë zbrit çmimin. Kanë dëshmuar se katedralja nuk është momenti i përfitimit, por i ndërtimit të kulturës të jetës dhe qytetërimit të dashurisë”, tha ai.
Ajo që bie në sy është se dominon mermeri si material. E, veshja e shtyllave, që janë të shumta brenda hapësirës së katedrales, është bërë me material nga Shqipëria.
Me materialin e mbledhur gjithandej u ngrit vepra e arkitektit italian Livio Sterlicchio, i cili kishte analizuar qindra kisha për të ideuar kishën amë të Kosovës.
“Stili është neoromanik i shekullit XV dhe XVI. Ishte dëshira edhe e Mark Sopit dhe e presidentit Ibrahim Rugova. Aty ku u ndërpre hallka 2 mijë vjeçare e krishterimit tonë me ardhjen e sundimit turko-otoman, aty ta lidhim edhe njëherë historinë tonë dhe t’i përfaqësojmë aty pesë shekuj në të cilat pati sprova, vështirësi, rrënim dhe së fundmi në liri dhe pavarësi të paraqitemi si kishë në shtetin e ri”, shtoi ai.
Stili neoromanik, e ka formën e harkut, me kupola. Këto kupola harqe paraqesin përsosmërinë e krijimin e njërit, që konsiderohet të jetënë formë harku.
Lartësia e kësaj kishte, është vendosur brenda një hapësire që ende ka nevojë për punë shtesë, që të jetë e kompletuar si vepër dhe e bukur për syrin.
