Featured
Reportazh i 1978-s | Gurët dhe bardhësitë e Lëbushës

Ky reportazh i shtatorit të vitit 1978, nga revista “Zëri i Rinisë”, ripublikohet nga Ndertimi.info.
Reportazhi është shkruar nga Muharrem Ramabaja.
Reportazhi pa ndërhyrje:
Shkoni në fund të atij muri të gurtë. Aty është shtëpia që kërkoni – na thanë njerëzit duke bërë me dorë. Ne rendëm asfaltit, përreth shtrihej ai mur e, në fund të tij, të larguara dhjetë a pesëmbëdhjetë metra nga rruga i pamë dyert e rënda. Përtej avlisë nuk shihej gjë, pos Bjeshkëve të Namuna, me majet në qiell, të cilat nuk mund t’i fshehë kush.
«Këtu pra gjallon Hasan Sadriaj!». Trokitëm . Dolën dy fëmijë, të cilët nuk floën gjë po na vështruan me habi.
«E keni këtu babain?»
«Po tash erdhi»
«E thërrisni»
Doli i «zoti» i shtëpisë dhe na dëshiroi mirëseardhjen.
***
E gjelbera këtu do të shkojë edhe përtej skajeve të stinës së vjeshtës. Kështu do të ketë ndodhur prej kohës mbase edhe më larg sesa këtu jetojnë shtëpitë e gurta, kullat të cilat nuk e humbin dot krenarinë e përmotshme.
(Monologu i Hasanit për vetveten)
– Unë, more shokë, e kam kryer shkollën fillore. Pesë vjetët e para i kam kryer në Strellc, në ditët e Jugosllavisë së vjetër. Të tëra herat kam qenë i shkëlqyeshëm në mësim. Po, more shokë, po atëherë nuk na jipshin mundësinë për shkollim. Vetëm tre, prej krejt neve, nëpërmes miqve u shkolluan më larg. Unë shkoja në shkollë me opinga llastiku, me tirqi, e librat rrallë i kisha… Kur u nisa për në shkollë, mixha më tha të mos i përgjigjem mësuesit kur të thërrasë, të shtihem si i shurdhër. Mirëpo, kur mësuesi e tha emrin tim, unë iu përgjigja në gjuhën e huaj, siç më mësoi një shok «këtu». Mixha më dha disa shuplaka, mirëpo shpejt i harrova ato. Dhe erdhi lufta, luftuam. Pastaj erdhi ndërtimi i vendit. Punuam tri-katër vjet, e nuk e kam ditë qysh merret dinari.
(Derisa flet Hasan Sadriaj, herë-herë shkëpusim ndonjë shënim. Është komunist prej vitit 1948. Gjithnjë, prej pasçlirimit ka punuar në rini e në struktura e tjera, në të gjitha hallet dhe punët e fshatit, edhe më larg.)
(Për Lëbushën…)
–Paj, besa bre shok, po më duket nuk jemi kah e dimë sa duhet të sotmes. Për këto pesëqind vjet (sa më larg s’po hyj), kurrë më mirë s’kemi qenë. Ne këtu në Lëbushë kemi një copë tokë, që kurrë nuk na ka bërë idare, po kemi jetuar nga pemët dhe nga malet tona. E, tash është ndryshe. Të rinjtë shkojnë në shkolla, disa të tjerë janë në punë jashtë shtetit dhe e kanë bërë standardin e mirë. Gati gjysma e familjeve kanë vetura dhe televizorë. Këtu e kemi asfaltin, rrymën elektrike dhe Deçanin e Pejën afër.
Rrallë ngjet të ikë kush prej Lëbushës përgjithmonë.
(Dhe për kullën e për vajzat)
-Kjo kullë është ndërtuar që nga lufta e fundit. Është e fortë e unë, edhe po të doja, nuk mund të ndërtoj më. Jam lodhur dhe plakur. Eh, kur të rritën këta djemtë e vegjël, le ta ndërtojnë, nëse donë… I kam shtatë fëmijë. Gjashtë shkojnë në shkollë e ky i vogli ende nuk është bërë për mësim. Kur i dërgova unë i pari vajzat në shkollë, lëre që kisha vështirësi të tjera, po nuk më lenin rehat fjalët e katundit.
(Hasani, me të ardhurat e tij të punëtorit parketarinë e Deçanit, sot i shkollon të gjashtë fëmijët, katër vajza dhe dy djem. Hata dhe Shehrija janë studente të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, e para në vitin e pestë dhe e dytë në të tretin. Njëra merr kredi e Shehrijes i kanë ndarë Bursën e Fondit të Titos, të RS të Serbisë, si nxënëse shembullore. Vajza tjetër, Drita, punon infermiere në Pejë, ndërsa motra e tyre më e vogël është nxënëse e vitit të parë të QSH «Vëllezërit Frashëri» të Deçanit. Dy djemtë janë nxënës të shkollës fillore në Strellc).
-Po të kallzoj drejt, more shok, një tridhjetë a katërdhjetë herë kam qenë në Prishtinë, për banesë të vajzave, se thojshin jo është ftohtë, jo e keqe, jo i gjenin një «behane» tjetër. Unë duhej t’i i mbaj dy shtëpi. Veç falemnderit, kanë mësuar vajzat, edhe më kanë dëgjuar. Besa, edhe shoqëria më ka ndihmuar me bursë e me kredi. Edhe në shtëpi kur janë ndihmojnëPor, shoko, edhe këto i kanë telashet e veta. I riu, more shokë, duhet të shohë më largë se ne, se ai është i shkolluar, është edukuar dhe është kulturuar. Mos t’ia bëjë si ne që ziheshim me njëri-tjetrin për një vadë, për një fjalë.
Më bëhet se Hasani, njeriu që i ka shkelur në të gjashtëdhjetat, tash e pret pensionin dhe jetën e tji të pasur – pleqërinë – do ta mbyllë në Lëbushën e tij, në kullën e gurtë, të fortë e të re.
***
Fëmijët e Hasan Sadriajt tashmë e kanë mësuar se bota është me e madhe se sa kulla e tyre. Në shtëpinë e pasur me pemë, me mjaltë, me televizorë e me natyrë të shëndetshme ata jetonin me mësimet e fakultetit e të shkollës. Shehrija po e përgatiste provimin e fundit të vitit të dytë, të cilin e kishte këto ditë.
Hata: – Unë, bashkë me një shoqe, isha e para që shkova në Gjimnazin e Deçanit. Ndoshta ne atëherë ishim më të kufizuar se nxënësit e sotëm mirëpo, në ato kushte kemi bërë ç’kemi mundur. Me vullnet të fortë e duke iu falenderuar ndihmës së babait, ne u shkolluam deri këtu. E kam dashur shumë gjuhën angleze, mirëpo më këshilluan qe të studioj mjekësinë dhe unë e pëlqeva këtë. Tash jam në vitin e fundit të Fakultetit. Besoj se te ne ka nevojë ende shumë për mjekë, e unë nuk do të kursej që këtë profesion human ta ushtroj me nderin më të madh – na tregonte Hata, me një rrjedhshmëri dhe natyrshmëri të një intelektualeje modeste, në kopshtin e shtëpisë saj.
Shehrija: – E falënderojmë shumë babain. Unë gjithnjë kam qenë shembullore në mësime. Jam marrë edhe me aktivitete të ndryshme, në LRS, si sportiste, pastaj në garat e ndihmës së parë, etj.
(Dalja nga oborri i kullës)
Na ndodh sikur fëmijëve të zgjuar e të shëndetshëm të Hasanit iu gëzohet edhe vetë kulla, në të cilën ata i dëgjuan kallëzimet e para për këtë botë dhe u rritën. Mjeket e ardhshme, infermierja dhe të tjerët pas tyre, në ditët e bardha që po i «qëndisin», sigurisht do ta ruajnë si në një kornizë historinë për kullën dhe për prindërit e mirë të tyre, të cilët fëmijëve iu zgjodhën pjesën e zorshme, por më fatlume të jetës.
