Aktuale
Rënie e investimeve të huaja në Kosovë
Investimet e huaja direkte në Kosovë vitin e kaluar kanë shënuar rënie për rreth 100 milionë euro, në krahasim me vitin 2015.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet ndërkombëtare të pranuara vitin e kaluar në Kosovë kanë arritur në 215.9 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vitin 2015, kur investimet e huaja ishin 309.8 milionë euro.
Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si mjete të domosdoshme për zhvillim ekonomik, në dekadën e fundit, kryesisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ka pasur luhatje të mëdha në vlerën e investimeve direkte të huaja.
Kurse, Kosova konsiderohet me potenciale të mjaftueshme dhe atraktive për investitorët potencialë, thonë ekspertë për çështje ekonomike, nëse në këtë kuadër autoritetet kompetente krijojnë kushte më të favorshme.
Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet zyrtare në Prishtinë kanë filluar me disa reforma në këtë fushë, por përpjekjet duhet të jenë më serioze, në mënyrë që kushtet dhe mjedisi për investitorët e huaj të jenë të njëjta sikurse në vendet e rajonit.
Ai, madje, shprehet se edhe situata politike në vend po e pengon interesimin apo ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë në Kosovë.
“Gjendja politike ka ndikim në këtë fushë. Sa më stabile që të jetë situata dhe sa më shpejt të krijohet qeveria e re, të fillojnë proceset e reformave të cilat kanë nisur, kjo do të krijojë një klimë më të favorshme për investime në Kosovë, gjithsesi edhe në raport edhe me vendet fqinje. Në këtë mënyrë investitori do të gjejë Kosovën si pikë atraktive në Ballkan për të investuar, apo për të filluar prodhimin e tyre” shprehet Balija.
Ai thotë se një ndër detyrat e para të qeverisë së ardhshme të Kosovës, mbetet përmirësimi i reformave dhe kushteve, si dhe eliminimi i barrierave aktuale, me të cilat përballen investitorët potencialë.
“Qeveria e ardhshme duhet të fokusohet që të bëjë një bashkëpunim më të ngushtë me Odat Ekonomike, por edhe me Këshillin e Investitorëve Evropianë, sepse ne kemi përvojat nga terreni dhe e dimë saktësisht në çfarë duhet të bëhet në sektorë të caktuar, për të krijuar një mundësi më të mirë për joshjen e investimeve të huaja”, vlerëson ai.
Investimet e huaja, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, kryesisht janë të përqendruara në sektorët e ekonomisë si patundshmëria, ndërtimtaria, shërbimet financiare dhe tregtia.
Në vitin 2016, rënie e këtyre mjeteve është evidentuar pothuajse në të gjithë sektorët. Por, rënia më e theksuar ishte te sektori i patundshmërive dhe sektori i shërbimeve financiare, sektorë që u karakterizuan me rënie vjetore prej 11.6 përkatësisht 70.5 për qind.
Ndryshe, sa i përket origjinës së investimeve të huaja, Zvicra paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti investime vitin e kaluar, pasuar nga Turqia, Shqipëria dhe Gjermania.
You must be logged in to post a comment Login