Aktuale
Reagon Lekaj: Bllokimi i rrugës Kaçanik-Hani i Elezit, nuk është bërë për teke personale

Mbyllja e segmentit rrugor Kaçanik-Hani i Elezit nuk është bërë për teke personale, kështu ka deklaruar Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.
Reagimi si ky erdhi pasi që nënkryetari i Komunës së Kaçanikut Ylber Bajra në paraditen e sotme kërkoi nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj të merr masa për zhbllokimin e kësaj rruge, apo në të kundërtën ka kërkuar publikisht edhe shkarkimin e Lekajt.
Lekaj në reagimin e tij përmes një shkrimi në profilin e tij Facebook, ka shkruar se vendimi deri te mbyllja ka ardhur pas vlerësimeve të ekspertëve meqë ajo rrugë përbën rrezik për qytetarët.
Ai ka theksuar se po punohet që të bëhet zgjidhje e shpejtë në mënyrë që rruga të rikthehet në funksion.
“Qytetarë të Kaçanikut e të Kosovës,
E kam theksuar e po e ritheksoi përseri, vendimi që të ndalohet lëvizja në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit nuk është marrë për teke përsonale, por pasë vlerësimeve të ekspertëve se çdo ditë e më shumë përbën rrezik dhe rrjedhimisht duhet të veprohet që të ruhet jeta e qytetarëve e më së shumti e njerëzve të Kaçanikut, të Elezi Hanit e pastaj për të gjithë të tjerët që e frekuentojnë atë segment.
Ju them me përgjegjësi të plotë se çdo ditë po punohet që të bëhet zgjidhje e shpejtë dhe rruga të rikthehet në funksion. Por poashtu nuk guxojmë të lejojmë që gjërat të bëhen vetëm sa për të thënë, çdo ngutje nënkupton diçka tjetër, e mund të përsëritet ajo që ka ngjarë thuajse në çdo vit, sepse asnjëherë nuk është zgjidhur që sa vite ashtu siç duhet, e për tu sanuar problemi (rreziku) njëherë e përgjithmonë.
Të gjithë duhet të kontribuojmë që çështja, e “bllokimit” të aksit rrugorë që na lidhë me Maqedoninë, të marrë zgjidhjen e duhur e jo të bëjmë thirrje “demagogjike – linçuese”, siç patëm rastin të lexojmë së fundmi.
Çdo herë që janë kërkuar takime e sqarime, jo vetëm për ketë rast, por për çdo problematikë, prej kur e kemi marrë mandatin, kemi tentuar të jemi me të gjithë bashkë, për t’iu mundësuar zgjidhjet dhe njëjtë kemi vepruar edhe më nevojën për rrugët alternativë të Kaçanikut. Të dielën që shkoi (13 maj 2018) ekipet tona kanë qenë në terren bashkë me udhëheqjen e Komunës së Kaçanikut, ku është përcaktuar lokacioni i rikonstruktimit të rrugës për qarkullim të përkohshëm, prandaj nuk i kuptojë “zhurmat” sa për lajme.
Kemi qenë në kontakt e vazhdojmë të jemi dhe të kemi gjithë mbështetjen e kryeministrit Haradinaj që nga fillimi për ketë çështje sikur për gjithë zhvillimet tjera. Por poashtu nuk mundem pa e përmend, sepse ne jemi realista dhe nuk bëjmë politikë por merremi seriozisht me temat, nuk e kemi “shkopin magjik”, për të zgjidhur të gjithë problemet (të gjitha të trashëguara) brenda ditës.
Duke ju dhënë gjithë garancitë se nuk jemi ndalë e nuk do të ndalemi për të zgjidhur problemin në fjalë, ju njoftojë se këtë të enjte, fillojnë punimet në rrugën lokale (e cila është në përgjegjësi të mirëmbajtjes nga Komuna e Kaçanikut) Kotlinë – Ivajë, me gjatësi prej rreth 2 kilometrave, dhe kështu do të zgjidhet problemi për qarkullimin e përkohshëm të këtyre fshatrave”, ka reaguar ministri Pal Lekaj.
