Aktuale
Rasti ndaj inspektorëve të Prishtinës: Avokati Krasniqi dënohet me 500 euro gjobë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/avokati.jpg)
Është dënuar me 500 euro gjobë avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Ismet Haliti, në seancën që po zhvillohet ndaj 10 inspektorëve të Prishtinës për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Kjo gjobë u shqiptua pas një mosmarrëveshje në mes të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra dhe avokatit Krasniqi, në momentin kur ky i fundit tha se gjykata duhet të jetë arbitër i paanshëm por nuk është.
“Unë mendojë se pyetjet që po parashtrohen nga ana e trupit gjykues lidhur me të akuzuarit janë tejkalim të gjykatës, pasi që gjykata është arbitër i paanshëm në një gjykim. E te ne aplikohet parim akuzator, hetimet i bën prokuroria dhe kur në një rast prokurori nuk ka pyetje atëherë pyetjet e prokurores po i parashtron trupi gjykues”, tha Krasniqi.
Gjykatësi Kalludra tha se kjo gjë nuk qëndron, megjithatë secili ka të drejtë të paraqesë ankesën e tij nëse ka një të tillë. Gjykatësi vazhdoi duke i’a tërhequr vërejtën avokatit për të përmirësuar sjelljen etij.
Mirëpo, Pasi që avokati Krasnqi vazhdoi tutje me ankesë, gjykata mori vendim që t’i shqiptoje gjobë në vlerë prej 500 euro për sjellje të gabuar, dhe u udhëzua se për çdo tejkalim të autorizimeve të tij do të pasojnë veprimet tjera ligjore.
Edhe pas këtij vendimi Krasniqi tha se sipas dispozitave ligjore trupi gjykues nuk ka të drejtë të zhvilloj hetimet siç po e bën. “Kon pe mbron ky trup gjykues, nëse mendoni se duhet ta mbroni aktakuzën e keni gabim , kjo nuk është arbitër i paanshëm “ shtoi Krasniqi.
Ndaj kësaj, gjykatësi Kalludra tha se secili avokat të bëjë ankesë me shkrim nëse ka.
“Ne kemi për detyre që të kujdesemi për vërtetimin e gjendjes faktike dhe do të ndihesha keq nëse keni vërejtje ndaj meje e nuk do ta thonit” tha Kalludra.
“E di se kjo gjë do t’i kushtojë klientit tim, por nuk ka problem” deklaroi tutje Krasniqi.
“Shpesh ne i mbrojmë me mirë se vetë ju të akuzuarit”, përfundoi gjykatësi Kalludra.
Ndryshe, seanca është duke vazhduar me marrjen në pyetje të disa prej të akuzuarve. Prezent në sallë është edhe prokuroja speciale Florje Shamolli, e cila po e zëvendëson prokuroren Drita Hajdari.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) pretendon se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.
Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.
Tutje, të njëjtit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.
Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)