Aktuale
Raporti i Progresit gjen ngecje të mëdha në prokurimin publik
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/PublicProcurement_PPP_PrivateFinance.jpg)
Korrupsioni gjatë ciklit të prokurimit publik, kapaciteti i dobët i institucioneve të prokurimit për administrimin e prokurimit publik si dhe mungesa e bashkëpunimit në mes të institucioneve të prokurimit publik, janë vetëm disa nga mangësitë e gjetura në Raportin e Progresit, të vitit 2019 për Kosovën.
I vetmi përparim në prokurim, sipas Komisionit Evropian, është platforma elektronike e prokurimit.
“Njëfarë përparimi është arritur me futjen e mëtejshme të platformës elektronike të prokurimit. Sidoqoftë, nevojiten përpjekje më të mëdha për të parandaluar parregullsitë dhe korrupsionin gjatë ciklit të prokurimit”, kështu e përshkruan KE përparimin në fushën e prokurimit.
Në Raportin e Progresit theksohet se Kosova ende duhet të adresojë kapacitetin e dobët të institucioneve të prokurimit publik.
“Kosova ende duhet të adresojë kapacitetin e dobët të institucioneve të prokurimit publik për të administruar prokurimin publik, monitorimin dhe zbatimin e pamjaftueshëm të kontratave të cilat janë të cënueshme ndaj korrupsionit” potencohet në raport.
Ky adresim, sipas gjetjeve të Komisionit Evropian duhet të vijë për shkak se shumica e rekomandimeve që janë dhënë për Kosovën në vitin 2018 mbesin akoma të vlefshme.
“Kosova duhet të harmonizojë më tej legjislacionin e vet për prokurimin publik, duke përfshirë edhe partnertitetet publike dhe koncesionet dhe të sigurojë zbatimin e duhur të Ligjit për prokurimi publik; të sigurojë që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) të jetë plotësisht funksional dhe që kufizimet e kapacitetit të stafit të adresohen” theksohet në raport.
Tutje në raport thuhet se duhet të bëhet edhe rritja e kapacitetit të të gjitha institucioneve të prokurimit publik si dhe bashkëpunimi i ndërmjetshëm për të siguruar zbatimin e vazhdueshëm të rregullatorit të prokurimit publik.
Implementimi i kapaciteteve
Korniza ligjore e Kosovës për prokurimin publik siç përmendet në raport, është përafruar gjerësisht me Direktivat e BE-së të vitit 2004 për prokurimet klasike, komunale dhe për koncesionet. Por, përshtatja e mëtejshme me Direktivën e BE-së , të vitit 2014, është akoma e nevojshme.
Referuar gjetjeve të raportit, të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimit publik dhe koncesionet, duke përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të përfunduara me vendet e treta, duhet të pasqyrojë parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit.
“Kosova ka një strategji (2017-2021) dhe planin e veprimit (2017-2019) për të përmirësuar sistemin e prokurimit publik. Megjithatë, nuk ka marrëveshje për ta vlerësuar zbatimin e saj. Objektivat kryesore të prokurimit publik janë të pasqyruara edhe në Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2016-2020. Për këtë gjë mungojnë hapat konkretë, aktivitetet e koordinuara dhe përcaktimi i afateve kohore mungon zbatimi i strategjisë dhe planit të veprimit”, thuhet në raportin e vitit 2019, për Kosovën.
Institucionet e Prokurimit Publik në Kosovë, sipas Komisionit Evropian, duhet të koordinohen më shumë dhe të përballen me sfida të mëdha në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave të tyre në mënyrë efektive dhe efikase.
Sipas gjetjeve të Komisionit Evropian, në vitin 2018, pjesa e prokurimit publik përbënte 9.4% të GSP-së (631.6 milionë euro). Nga kjo, 89% e kontratave janë dhënë duke përdorur procedurë të hapur. Por, megjithëkëtë, 99% e kontratave publike janë dhënë sipas kriterit të çmimit më të ulët, në vend të raportit çmim – cilësi e cila është në linjë me Direktivën e BE-së për prokurimin publik. Në raport theksohet se çmimet për artikujt e njëjtë dallojnë shumë midis autoriteteve kontraktuese.
“ Fakti se autoritetet kontraktuese nuk kanë kapacitet për të hartuar specifikimet e duhura teknike, minojnë cilësinë, efikasitetin, transparencën dhe efektivitetin dhe mbikëqyrjen e ciklit të prokurimit” është shkruar në Raportin e Progresit.
“Të gjitha 188 autoritetet kontraktuese në nivel qendror dhe lokal duhet të përdorin sistemin e prokurimit elektronik për çdo lloj aktiviteti të prokurimit. Që nga janari 2019, dorëzimi elektronik i ofertave është i detyrueshëm për të gjitha llojet dhe vlerat e prokurimit dhe dorëzimi fizik nuk është i lejuar më. Trajnimi i vazhdueshëm kërkohet për të zhvilluar aftësinë e ofertuesve dhe blerësve për të përdorur prokurimin elektronik. Rreth 6 mijë operatorë ekonomik dhe 15,000 përdorues aktualisht janë të regjistruar dhe e përdorin në mënyrë aktive sistemin e prokurimit elektronik. Prokurimi i centralizuar është i detyrueshëm për 14 kategori të mallrave dhe shërbimeve të listuara nga Ministria e Financave dhe zbatohet për agjencitë me më pak se 50 punonjës” thuhet në gjetjet e Komisionit Evropian.
Sipas këtyre gjetjeve, monitorimi i aktiviteteve qendrore të blerjes mbetet veçanërisht i rëndësishëm për shkak të nivelit të lartë të vlerave dhe kompleksitetit.
E mangësitë e tilla siç shpjegohet në raport po rrjedhin nga planifikimi i dobët dhe dështimi nga ana e autoriteteve kontraktuese për të kryer hulumtime të tregut. Poashtu edhe analizat e pamjaftueshme dhe mbledhja e të dhënave shtojnë ekzekutimin e dobët të kontratave.
E përdorimi i kriterit të “çmimit më të ulët”, çdo herë, sipas raportit, mund të çojë në kosto më të larta dhe blerje me cilësi të dobët.
Mungesa e zbatimit të vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit
Mungesa e zbatimit të vendimeve nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), gjithashtu është përmendur në raport.
“Deri në tetor 2018, OSHP kishte pranuar 614 ankesa dhe kishte shqyrtuar 521 ankesa. Vendimet e OSHP-së publikohen në faqen e saj, por baza e të dhënave e saj nuk është e lehtë për t’u përdorur”, thuhet në raport.
Operatorët ekonomik, sipas gjetjeve të Komisionit Evropian, kanë të drejtë të kërkojnë nga OSHP që të bëjë shqyrtimin e ankesave të tyre. E në rast të mosrespektimit të vendimeve të saj “OSHP-ja ka fuqinë të vendosë gjoba për autoritetet kontraktuese. Katër dënime të tilla, u shqiptuan në vitin 2018”.
Se ky organ nuk është i plotë është theksuar edhe në raport. Kjo për shkak se dy prej pesë anëtarëve të bordit të saj janë pezulluar që nga qershori 2017, për shkak të padisë së ngritur ndaj tyre në një rast korrupsioni.
Stafi i OSHP-së përbëhet nga 18 nëpunës civilë dhe një numër ekspertësh të jashtëm. Vendimet e saj, të cilat janë bërë nga bordi nuk zbatohen gjithmonë./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)