Aktuale
Rama i del në mbrojtje minsitrit që ishte kundër taksës, kritikon mediet kosovare

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksave ndaj mallrave serbe në 100% ishte vlerësuar si jo e shëndetshme për ekonominë e dy vendeve, nga ana e ministrit të Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj. Por ky i fundit po mbrohet nga shefi i tij, Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së dy qeverive shqiptare në një konferencë për medie pasi që tha se mbështet tarifën mes Kosovës dhe Serbisë komentoi edhe qëndrimin e ministrit Arben Ahmetaj për këtë taksë.
E për këtë Rama ka sulmuar mediat kosovare për shkrimet, duke thënë se ministri Ahmetaj nuk është penduar dhe se nuk ka për çfarë të pendohet.
“Ministri Ahmetaj nuk është penduar dhe nuk ka për çfarë të pendohet. Ai ka folur në parim dhe në parim ka thënë se tarifat janë të pashëndetshme për ekonominë. Për ekonominë në një kontest bashkëpunimi, tarifat janë të pashëndetshme…ju e keni zakon të thoni fjalën e fundit të parën, për sa na takon, ne i themi fjalët me radhë. Ministri i Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri ka thënë diçka krejt normale, tarifat nuk janë të shëndetshme në një situatë shkëmbimesh tregtare mes dy vendeve që jetojnë në normalitet. Mirëpo këtu nuk jemi në këso kushte. Imagjinoni një moment të niset një kamion nga Kosova e Republika e Kosovës dhe të hyjë në kufi atje, kurse këtu vazhdojnë të hynë ‘Kosova Metohoia, Kosova Metohia’. Çka janë këto Kosova Metohia. Metohia është një fjalimet në Beograd nuk është këtu. Ky është thelbi dhe ministri nuk ka pse të pendohet, duhet të pendoheni ju për gjitha sulmet që i keni bërë ministrit për diçka krejt normale që ka thënë.
Ndërkohë që është ripërsëritur se taksa ndaj produkteve serbe është reagim politik dhe jo ekonomik duke theksuar se një vendim si ky sipas Ramës është një ftesë për shtetin serbë që të zbresë me këmbë në tokë.
“Por e përsërisë që këtu nuk jemi në kushtet e një vendimi me natyrë ekonomike, nuk është një luftë tregtare që ka hap Kosova me Serbinë dhe këtë ta dëgjojnë mirë edhe serbët por edhe partnerët tanë Evropian. Nuk është në kuadrin e një lufte tregtare por reagim politik ndaj një shteti fqinjë që tjetër thotë e tjetër bënë, reagim ndaj një shteti fqinjë që hiqet si viktimë në raport me Kosovën dhe gjatë gjithë kohës i ngul thika prapa shpinës Kosovës. Është reagim normal në një situatë anormale”, tha Rama.
Kujtojmë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksave ndaj mallrave serbe në 100% është vlerësuar si jo e shëndetshme për ekonominë e dy vendeve, nga ana e ministrit të Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj i kishte sugjeruar Kosovës të mos marrë masa të tilla me asnjë vend, pasi vendosja e tarifave, sipas tij, shkon si kosto mbi qytetarët. Ndërsa për bizneset në Shqipëri masa e marrë nga Qeveria e Kosovës është e drejtë, por e vonuar në kohë, njëherësh edhe si mundësi dhe si një derë e hapur në rrugën drejt tregut të Kosovës.
Në mes të një debati proteksionist dhe me tipare nacionaliste, biznesi i Shqipërisë edhe mund të korrë përfitime nga ky vendim i Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë pas kritikave të shumta dhe komenteve negative që mori në postimin në Facebook, Ahmetaj e fshiu atë.
