Arkitekturë
Rama: Hapësirat e degraduara na thajnë e shtjerrin çdo ditë në qytetet e Kosovës
UranHaxha
Kosovarët shpesh janë krenuar para londinezëve dhe qytetarëve tjerë të Britanisë së Madhe me një njeri të tyrin që jeton dhe vepron në Londër. Ai është Përparim Rama. Arkitekt i njohur sikur atje, ashtu edhe në Kosovë. Ai është larguar në vitet e ’90-ta nga Prishtina për t’u kthyer vetëm për qëndrim të shkurtë, por jo përgjithmonë. Për këtë kishte ndikuar edhe viti 1999. Ai u bë shumë i njohur kur fitoi Çmimin e Parë në Botë në kategorinë e enterierit për bar, me projektin “Hamam Jazz Bar” në Prishtinë.
Në një intervistë ekskluzive për Ndertimi.info, Rama tregon se si është lidhur me arkitekturën dhe si e mban mend Prishtinën e ditëve të tij. Mirëpo, Rama nuk ka mundur të mos kritikojë se ligji nuk është zbatuar në shumë sfera në Kosovë, posaçërisht Ligjit për Ndërtim. Këto ligje, sipas tij, duhet që së paku njëherë në dhjetë vjet të rishqyrtohen.
Një qytet mundet që të të lodh, por mundet edhe të stimulojë. Por, Përparim Rama thotë se “jetët tona të tëra nëpër qytetet e Kosovës duke u ballafaquar me hapësira të degraduara, na thajnë e shtjerrin çdo ditë”.
Më poshtë gjeni pjesën e parë të intervistës me Përparim Ramën:
Kush ishte shkaku që Përparimi dhe arkitektura të bashkohen për të vazhduar pa mbarim?
Arkitektura është platformë sinergjetike që bie së bashku Artin dhe Shkencën. Arti dhe Shkenca janë dy pasionet që ndërlidhën në mënyrë elokuente me njëra-tjetrën, apo më mirë të them janë njëra-tjetra, varësisht se si i shikon/shijon/ndjen ato. Jam rritur me to.
Arti dhe Shkenca të konvertuara nëpër forma arkitektonike krijojnë sensualitet multidimensional për njeriun.
Dashuria për njerëzimin dhe pasioni për krijimin e ambienteve të cilat lartësojnë ndjeshmëritë pozitive dhe ndikojnë pozitivisht në lumturinë e njeriut më bashkojnë me Arkitekturë dhe stimulimi kryesor për të vazhduar bashkimin me arkitekturën pa mbarim është mundësia që ajo më jep për të krijuar një buzëqeshje ekstra në fytyrën e njerëzve, e cila shpërndahet pa kufi në të tjerët.
Jeni larguar herët nga Kosova për në Angli. Si e mbani mend Prishtinën e fëmijërisë tënde dhe ndërtimet e atëhershme, e më pas si e gjetët kur u kthyet nga Anglia për herë të parë?
Kam qenë 16 vjeçar në vitin 1992. Prishtina më kujtohet si një qytet i zymtë. Xhamat e thyem nëpër hyrje të ndërtesave. Parqet me baltë. Fushat sportive jo funksionale. Pluhur i madh gjatë verës, baltë shumë gjatë vjeshtës, dimrit e pranverës. Kurrizi, aty ku kalonim kohë, kishte ndjenjën e një tuneli, me xhama që dukej se në çdo moment të bijnë në kokë nga tavanet. Parqet pa lule, fontana pa ujë. Fushat e tenisit, futbollit e basketbollit pa rrjeta, hyrjet e ndërtesave pa drita. Vendet që duhet të ishin të gjelbëruara, pa gjelbërim.
Ndoshta edhe psiqikisht ndjenja e pasigurisë ka bërë që ndjenja e zymtë të shumëfishohej.
Pasi u ktheva nga Londra në vitin 1999, e gjeta Prishtinën e njëjtë në aspektin arkitektonik, mirëpo isha ndër një eufori marramendëse pozitive si rezultat i ndjenjës së çlirimit. Një kohë edhe pothuajse pata humbur shpresën që ndonjëherë do të kthehem në vendlindje.
Sot ndërtohet gjithandej Prishtinës dhe Kosovës. Si i shihni këto ndërtime nga këndi profesional? Çka ju mungon dhe çka duhej të bëhej ndryshe?
Ligji është një aspekt fondamental i cili ose nuk ekziston ose nuk implementohet nëpër shumë sfera dhe pjesë të Kosovës, e posaçërisht Ligji i Ndërtimit.
Çdo herë e sidomos në fazat e tranzicionit nëpër të cilat Kosova është duke kaluar, ligji duhet të krijohet dhe zbatohet, në mënyrë që struktura ligjore e krijuar të ketë mundësi t’i përballojë zhvillimeve që po ndodhin dhe do të ndodhin në të ardhmen.
Ligjet duhet po ashtu të rishqyrtohen së paku çdo dekadë, në mënyrë që t’i përcjellin zhvillimet sociale si dhe teknologjike. Teknologjia është duke avancuar me një shpejtësi shumë më të madhe se sa mund të shpresojmë ndonjëherë për planifikimet urbane. Mënyra se si jeta dhe puna zhvillohen sot kanë një ndryshim të madh në krahasim me dekadat e mëparshme. Prandaj është me rëndësi të madhe që organet të cilat kanë përgjegjësinë për mundësimin e krijimit dhe implementimit të ligjit, të kenë njohuri rreth këtyre zhvillimeve dhe ndryshimeve sociale e teknologjike, t’i shfrytëzojnë dhe t’u ndihmojnë atyre.
Hapësirat urbano-arkitektonike duhet të kenë mundësinë që t’i adaptohen zhvillimeve të reja teknologjike dhe impaktit që kanë ato në shoqëri.
Masterplanet dhe planet rregulative urbane duhet të ndërlidhen me platformat për zhvillime ekonomike. Duhet të ketë një kuptim më të thellë socio-ekonomik dhe financiar, në mënyrë që edhe nga aspekti Urban e Arkitektonik të kemi sinergji të plotë me njëra-tjetrën.
Hapësirat publike e urbane janë ato të cilat neglizhohen më së shumti, apo më mirë të them ende nuk e kuptojmë se çfarë impakti kanë ato në mirëqenien tonë psiqike dhe për këtë arsye i anashkalojmë.
Një qytet, një hapësirë urbane, mundet të të lodh e dërrmojë, apo mundet të të stimulojë dhe japë energji, krejt kjo varet se si është e trajtuar. Ne kalojmë jetët tona të tëra nëpër qytetet e Kosovës duke u ballafaquar me hapësira të degraduara, të cilat na thajnë e shtjerrin për çdo ditë. Duhet patjetër t’u japim përparësi transformimit të hapësirës publike në hapësirë energji dhënëse e jo energji marrëse. Tashmë besoj se kemi kuadro që kuptojnë dhe mund të merren në mënyrë aktive ne transformimin e qyteteve tona në hapësira publike stimuluese energji dhënëse.
Mendoj që arkitektët të kenë mundësi vendimmarrje në përcaktimin e vizionit për të ardhmen. Mendoj se mungon një “Think Tank” vizionar. Duhet të jemi shumë më shumë kritikë të tashmes dhe vizionar të së ardhmes.
Duhet të kemi një platformë e cila na lejon paraqitjen dhe realizimin e vizioneve ndaras nga partitë politike që vijnë e shkojnë.
Kush është dashur të vë standard dhe mos të shtyhet vendi në këtë pikë të ndërtimeve?
Standardet vijnë nga shteti dhe organet shtetërore. E këto përbehen nga njerëz të cilët i kemi zgjedhur ne, qytetarët e shtetit të Kosovës. Fajet, për fat te keq i kemi ne, të gjithë, si shoqëri. Nuk kemi mundur që të përzgjedhim njerëzit e duhur, e po ashtu as nuk kemi mundur tu kundërvihemi njerëzve të korruptuar, të cilët në mangësi të ligjit ose të implementimit të tij e kanë shtyrë vendin në këtë pikë ku jemi sot.
Për fat të keq nuk jemi zgjuar më parë. Çrregullimet urbano-arkitektonike nuk kanë pasë impakt të përnjëhershëm në secilin nga ne. Tash që impakti pothuajse vrëhet, shijohet e kuptohet nga shumica vetëm se kanë filluar të shihen lëvizje shumë më pozitive në zhvillim e sipër.
Ne tash i votojmë ata që mendojmë se dinë dhe duan të mirën e vendit. Ne tash besojmë se të korruptuarit duhet të gjykohen. Ne tash kuptojmë se impakti i kaosit e dëmton të gjithë shoqërinë dhe dal-ngadalë shpresoj se po zgjohemi nga traumat e këtyre 17 viteve të fundit.
Jam optimist nga natyra dhe mendoj që kemi mundësi të mësojme shumë prej çka ka ndodhur deri më tash, në mënyre që mos të lëjmë të përsëritet më. Po ashtu mendoj se me siguri në kaosin urban kanë ndodhur edhe gjera pozitive të cilat duhet t’i zbulojmë, analizojmë dhe kuptojmë impaktin e tyre pozitiv. Gjithmonë e marr si shembull coffee baret nëpër Prishtinë, të cilat krijojnë një atmosferë , një “buzz’ pozitiv dhe mundësojnë takimin dhe shkëmbimin e ideve të ndryshme të shoqërisë sonë. Pra, jo gjithçka është negative dhe kemi tash mundësi që edhe gjërat tjera t’i shndërrojmë në pozitivitet.
Votoni të pakorruptuarit, mbani përgjegjës ata që kanë keqpërdorur e keqtrajtuar pozitat e tyre. Punësoni të edukuarit dhe të diturit. Përmbahuni ligjit. Të jemi të gjithë të barabartë përball ligjit. Me siguri se gjërat do të ndryshojnë për të mirë shumë shpejt.
You must be logged in to post a comment Login