Aktuale
Qyteti shumëngjyrësh, në të cilin çdokush do të donte të jetonte

Arkitekti bolivian Freddy Mamani synon të integrojë kulturën, ngjyrat dhe personalitetin në qytetin “piktoresk” të El Altos, përmes ndërtesave të bazuara në arkitekturën dhe artizanalet e lashta vendore.
Arkitekti ka tentuar ta transfomojë ngadalë El Alton në një vend me arkitekturë të gjallë, shkruan “Dezeen”, transmeton Ndërtimi.info.
“Në 18 vitet e fundit, praktika ime është përpjekur të prezantojë ngjyrë në El Alto. Kam krijuar atë që unë e quaj arkitekturë e re”, është shprehur Mamani në një prononcim.
Vendosur jashtë kryeqytetit La Paz, rreth 4 metra mbi nivelin e detit, El Alto është një ndër qytetet më të reja të Bolivisë, por i dyti më i populluar.
Shumica e banorëve të saj kanë migruar nga zonat rurale. Ata vijnë nga një sërë sfondesh kulturore të ndryshme boliviane, por rreth 75 për qind e identifikojnë vetën si “Aymara”.
Ndërtuar me shpejtësi gjatë tri dekadave të fundit për të akomoduar një fluks të madh të njerëzve, shtrirja urbane e qytetit është kryesisht e ndërtuar nga tulla tradicionale me baltë dhe versione të ngjashme.
“El Alto konsiderohet gjithmonë një qytet monokromatik, për shkak të lartësisë dhe klimës shumë të ftohtë alpine. Ndërtesat [e mia], nga dita në ditë, po i japin më shumë modernitet qytetit”, u shpreh Mamani.
Strukturat e përfunduara shërbejnë për qëllime të shumëfishta. Katet e para strehojnë dyqane dhe hapësira komerciale, ndërsa katet e dyta dhe të treta përbëhen nga salla të aktiviteteve të mëdha për bashkimin e familjeve dhe komunitetit.
“Ne përpiqemi të përdorim ngjyrë për të transmetuar gëzim për banorët”, tha Mamani, i cili filloi procesin e dizajnimit me skica, pastaj punoi ngushtë me artistët për të realizuar rezultatet.
Punonjësit e zanateve që punojnë në projektet e tij mësojnë teknikat artizanale arkitekturore nga një moshë e re. Të gjitha ngjyrat në brendësi janë pikturuar me dorë.
Mamani deri tani ka përfunduar rreth 70 ndërtesa si kjo në El Alto, dhe më shumë se 100 nëpër Bolivi. Shumë vendorë i konsiderojnë këto struktura si simbole të vendit./Ndërtimi.info/
