Aktuale
Qyteti i vjetër afër metropolit meksikan ku shembet pabarazia
Copëza të muraleve para-azteke të gërmuara së fundmi në rrethinat e atij që dikur ishte më i madhi qytet në Amerikë po i plotësojnë dëshmitë e shumta se edhe të zakonshmit atje gëzonin gjërat e bukura në jetë.
Çdo vit, miliona turistë vizitojnë piramidat e larta dhe tempujt e metropolit të shpërndarë të Teotihuacanit, i shtrirë 48 kilometra në verilindje të Mexico Cityt, larg prej zbulimeve të fundit të skajit jugor të qytetit.
“Ne tani po e kuptojmë që jeta në periferi ishte goxha e mirë”, ka thënë arkeologu nga Universiteti i Bostonit, David Caballo, që ka zbuluar piktura me ngjyra të ndritshme mbi llaçin e tri ngrehinave, të cilat ka nisur t’i gërmojë atje në korrik.
Të zbukuruara me lule e zogj që duken të cicërojnë, muralet, që evokojnë një parajsë të gjetur rreth tri kilometra nga qendra e Teotihuacanit, vijnë si një befasi e plotë, ka thënë ai.
Carballo dhe ekipi i tij kanë gjetur edhe shenja të tjera të pasurisë aty afër, përfshirë një nefrit, një maskë guri të skalitur për bukuri dhe guaska nga brigjet meksikane të Paqësorit.
Zbulimet e papublikuara të muraleve theksojnë për rrugën rrënjësisht të ndryshme të skicuar nga Teotihuacani, i cili lulëzoi prej vitit 100 para lindjes së Krishtit e deri në vitin 550 të erës sonë, krahasuar me qytetërimet e tjera të vjetra, shkruan Reuters, transmeton Koha Ditore.
Në një kohë kur jeta e përditshme në qytetet më të mëdha majane, apo në Romën e moçme dhe Egjipt, shënohej nga një elitë e paktë që sundonte mbi masat e varfëruara apo skllavëruara, shumica prej rreth 100 mijë banorëve të Teotihuacanit ia dilnin shumë më mirë.
Arkeologët thonë se qytetin e bëri të pasur ekonomia e bazuar në zeje që përbëhej nga gurgdhendës, qeramikëpunues, punues veshjesh e veçanërisht punëtorë të obsidianit që sajonin thika të mprehta.
Afër vendit ku janë gjetur muralet në rrethin e Tlajingas, Carballo dhe kolegët e tij kanë zbuluar edhe diçka që duhet të ketë qenë njëfarë punishte e madhe e obisidianit që prodhoi 200 mijë thika.
Në qytetin e rrethit të La Ventillas vjen në spikamë edhe një tjetër aspekt i karakterit të Teotihuacanit: bashkësi apartamentesh me shumë familje ku jetonin mbi 90 për qind e njerëzve të Teotihuacanit.
Larg turistëve, pavarësisht shkrimeve tejet të rralla të bëra në shesh, rrugët e ngushta të pjesëve të banuara të La Ventillas sugjerojnë një ekzistencë të ngjeshur urbane.
Ndërtesat kanë dysheme të gëlqerosura, me sisteme drenazhimi, kopshte me ajër të pastër e murale.
Teotihuacani ka më shumë se 2 mijë ndërtesa të tilla falë një shpërthimi gati njëshekullor në ndërtim e që përfundoi rreth vitit 350 të erës sonë.
Sipas Ruben Cabreras, arkeolog veteran që ka filluar gërmimet në La Ventilla, shtëpitë masive në Teotihuacan janë të pashembullta në krejt antikitetin, duke theksuar një pabarazi të vogël.
“Nuk ishte e theksuar si, le të themi, në Romë apo vende të tjera ku kishte një grup mbizotërues dhe një grup të sunduar”, ka thënë ai.
Asnjë dëshmi e skllavërisë nuk është gjetur aty për më shumë se një shekull gërmime, ka theksuar ai.
Arkeologu nga Universiteti Shtetëror i Arizonas, Michael Smith, që drejton një laborator kërkimi në Teotihuacan, ka përllogaritur më parë pasurinë e qytetit të bazuar në madhësitë e shtëpive.
Në shkallën ku 1.0 nënkupton që një shtëpi ka në pronësi çdo gjë dhe zero që tregon barazi të plotë, i ashtuquajturi poentim i Ginit në Teotihuacan erdhi në 0.12, të cilin Smith e ka përshkruar si një nivel jashtëzakonisht i ulët i pabarazisë për një shoqëri paraindustriale.
“Reagimi im i parë ishte: kjo është gabim”, ka thënë ai.
Smith, autor i librit “Ten Thousand Years of Inequality”, planifikon të rillogarisë pikët duke përdorur një set më të madh të të dhënave. Derisa pritet të ketë njëfarë rritjeje, ai thotë se ajo do të jetë ende shumë më e vogël sesa pikët për Pompeiin apo Kahunin në Egjipt.
Smithi bën krahasime me gërmimet edhe në vende azteke të gjetura më shumë sesa një mijëvjeçar pas rënies së Teotihuacanit.
Një shtëpi mesatare teoutihuacane kishte rreth 200 metra katrorë të hapësirës së jetueshme, gati sa një fushë tenisi, përderisa banimet tipike azteke janë rreth 25 metra katrorë.
Të dhënat nga varret, të përmbledhura nga Carballo tregojnë se të zakonshmit në Teotihuacan u zhvilluan në një lartësi ngjashëm me elitat, me meshkuj të varrosur në bashkësi apartamentesh më pak se 1 centimetër më të vogla sesa ata të varrosur afër qendrës së qytetit, në Piramidën e hënës.
Në kontrast, të zakonshmit ishin 6 centimetra më të shkurtër sesa mbretërorët në Mikenë, Greqi, dhe 9 centimetra më të shkurtër sesa në dinastitë e Egjiptit, thonë të dhënat.
Linda Manzanilla, arkeologe në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës, thotë se komuniteteve shumetnike, që u vendosën në Teotihuacan pas dy shpërthimeve të mëdha vullkanike, me gjasë iu duhej më shumë qeverisje e përbashkët dhe qasje në burime.
Ajo fillimisht ka gërmuar një bashkësi apartamentesh kah mesi i viteve ’80 në skajin verilindor ku jetonin punëtorët e llaçit dhe kishin qasje në mallrat e luksit, përfshirë mikat dhe qeramikat e bukura.
Refugjatët që iknin nga krahinat e shkrumbuara nën hi me gjasë përthitheshin nga programet e punës në qytetin që u jepte më tepër vlerë grupeve shoqërore sesa individëve, duke rezultuar në klasa shoqërore më pak të ndara nga qasje në burime, shpjegon Manzanilla.
Rreth një e treta e banorëve të Tljajingas mund të kenë qenë emigrantë, kanë bërë të ditur gërmimet e mëparshme të mbështetura në shenjat e dhëmbëve, si dhe enklava të të huajve janë gjetur gjatë Teotihuacanit me të paktën katër gjuhë të huaja të folura krahas gjuhës vendëse, me gjasë pararendëse te aztekishtja Nahuatl apo Otomi.
Historia e Teotihuacanit jep një kundërshembull intrigues për tendosjet bashkëkohore që përftohen prej migrimit.
“Ne duhet të mësojmë prej udhëheqjes së tyre më shumë se pesëshekullore”, ka thënë ajo.